Turqia ka urdhëruar arrestimin klerikut mysliman Fetullah Gulen dhe shtatë personave të tjerë në lidhje me vrasjen e Ambasadorit të Rusisë në Turqi, Andrei Karlov, në vitin 2016.
Autoritetet kanë kërkuar arrestimin e këtyre tetë personave me pretendimin se vrasja është kryer nën urdhrat e tyre. Deri më tani lidhur me këtë rast janë arrestuar shtatë persona të tjerë, këtu duke përfshirë edhe tre policë.
Karlov ishe qëlluar nga një polic jashtë detyrës, përderisa po mbante një fjalim ne hapjen e një ekspozitë në Ankara në dhjetor të 2016-ës. Vrasësi kishte bërtitur “Allahu Ekber” dhe “Mos e Harroni Aleppo-n” përderisa kishe qëlluar me armë, siç duket duke iu referuar përfshirjes së Rusisë në Siri. Më pas ai ishte qëlluar për vdekje nga policia në vendin e ngjarjes.
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan ka deklaruar se lëvizja e Gulen ishte prapa vrasjes, akuzë të cilën ky i fundit e kishte mohuar. Erdogan gjithashtu kishte fajësuar mbështetësit e Gulenit për organizimin e puçit në korrik të 2016-ës.
Kërkesa për arrestimin e Fetullah Gulen dhe shtatë personave të tjerë vjen një ditë para vizitës së presidentit të Rusisë, Vladimir Putin në Turqi.
Putin do qëndrojë për një vizitë dyditore në Turqi, me ç’rast do të takohet me Erdogan si dhe presidentin e Iranit, Hassan Rouhani. Këto tre shtete janë garantuesit e bisedimeve për paqe në Astana, që kanë krijuar zona të armëpushimit në Siri.