Shefi i Këshillit Evropian, Donald Tusk, është marrë në pyetje të hënën në vendlindjen e tij Poloni, në kuadër të hetimeve parlamentare rreth skemës piramidale që kishte rezultuar me mashtrimin e qindra polakëve, të cilët kishin kursime, gjatë kohës sa ai ishte kryeministër i vendit.
Në një moment emocional, Tusk iu adresua partisë konservatore aktualisht në pushtet në Poloni, duke thënë se ajo po e shfrytëzon marrjen e tij në pyetje për synime politike.
“Ju duhet ky komision, ju duhet ky spektakël për t’i vazhduar… insinuatat tuaja, po ashtu në emër të familjes time”, tha Tusk.
Ka vite që ndërmjet Tuskut dhe liderit të partisë polake në pushtet “Ligj dhe Drejtësi”, Jaroslaw Kaczynski, vazhdon një armiqësi e qartë, raporton AP, përcjell Koha.net. Në daljen e tij para Drejtësisë, Tusk u betua para Komisionit special shumëpalësh, i cili tanimë ka marrë në pyetje me dhjetëra zyrtarë shtetëror në përpjekje për ta adresuar përgjegjësinë e tij në këtë skemë.
Duke iu adresuar si “kryeministër”, Komisioni u zotua ta ndriçojë nivelin e autoritetit që Tusku kishte mbi sigurinë shtetërore dhe zyrat e tjera qeveritare dhe të mësojë se kur u informua ai rreth skemës piramidale të institucionit financiar “Amber Gold”.