U.D. Kryeprokurori i Shtetit pret në takim përfaqësuesit e ekipit vlerësues të INL-së për Sektorin e Drejtësisë në Kosovë

Prishtinë | 12 Mar 2024 | 14:54 | Nga Ekonomia Online

Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, ka pritur sot në takim pune përfaqësuesit e ekipit vlerësues të INL-së për Sektorin e Drejtësisë në Kosovë, kryesuar nga Michael Wasco, Këshilltar i Lartë për çështje të Drejtësisë në Byronë e Narkotikëve Ndërkombëtare dhe të Çështjeve të Zbatimit të Ligjit që gjendet në kuadër të Departamentit Amerikan të Shtetit dhe Dafina Bardhi – Rexhepi, Specialiste e Programeve në INL pranë Ambasadës së SHBA-së në Kosovë.

Gjatë këtij takimi, U.D. Kryeprokurori Kelmendi i njoftoi të pranishmit me rolin, strukturën, funksionimin dhe kompetencat e institucionit të Prokurorit të Shtetit.

Poashtu U.D. Kryeprokurori Kelmendi, gjatë këtij takimi ka folur edhe për zhvillimin e procesit të vlerësimit të performancës së kryeprokurorëve dhe prokurorëve të shtetit, procedurat e avancimit në karrierë, si dhe funksionimin e mekanizmave disiplinor, konkretisht për procedurat e inicimit të rasteve ndaj prokurorëve.

Temë e diskutimeve të përbashkëta në këtë takim ishte edhe mbështetja e vazhdueshme e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhënë për institucionin e Prokurorit të Shtetit në funksion të forcimit të sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës.

Në fund të takimit U.D. Kryeprokurori i Shtetit, Besim Kelmendi falënderoi Wasco për vizitën në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, me ç’rast ka vlerësuar lartë ndihmën dhe përkrahjen e vazhdueshme të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhënë për nevojat e sistemit prokurorial.

Të ngjashme