Ushtruesi i detyrës së presidentit, Glauk Konjufca në 22 vjetorin e masakrës së Izbicës, ka bërë homazhe në kompleksin memorial në këtë fshat, ku ka thënë se është detyrë e institucioneve tona që të punojnë në mënyrë që e vërteta dhe drejtësia të bije në vend.
“Nuk ka ditë në Kosovë e cila të mos jetë data e përvjetorit të vrasjes së shqiptarëve të Kosovës prej Serbisë dhe nuk ka javë të vitit në të cilin të mos jetë java e përvjetorit të ndonjë masakre në Kosovë, e cila është shkaktuar prej Serbisë gjatë vitit 98-99 në vendin tonë. Kjo tregon për të vërtetën e përmasës së gjenocidit që e ka bërë Serbia në Kosovë përmes ushtrisë së vet, policisë dhe paramilitarëve”, tha ai
Ai shtoi se duke i parë këto masakra ata si përfaqësues të institucioneve i bën edhe më të vendosur që mos të bëjnë kurrfarë kompromisi në themelet e shtetësisë tonë.
“Për masakrën e Izbicës ndaj të cilët duhet të mbahet përgjegjës shteti serb, deri tash familjarët e martirëve të cilët janë vrarë nga Serbia nuk e kanë gjetur drejtësinë dhe është detyrë e institucioneve tona dhe e secilit prej nesh që i përfaqësojmë ato, që të punojmë pa u ndal që e vërteta dhe drejtësia të bije në vend. Në të njëjtën kohë, duke i parë këto masakra në përvjetorin e tyre, kjo na bën më të vendosur neve si përfaqësues të institucioneve që të mos bëjmë kurrfarë kompromisi në themelet e shtetësisë tonë në bazën e të cilës ndodhët gjaku i martirëve tonë dhe i dëshmorëve të kombit “, tha ai.
Më 28 mars, në Izbicë u vranë e masakruan 147 persona, mes tyre burra, gra e pleq dhe u deportuan në Shqipëri mijëra të tjerë.