Ministri britanik i Shëndetësisë Matt Hancock ka pranuar që ka shkelur udhëzimet e distancës sociale pas publikimit të fotografive të tij duke puthur një ndihmëse.
Ai tha se i kishte zhgënjyer njerëzit pasi u shfaqën fotot e tij me Gina Coladangelo, ngjarje për të cilën tha se ishte diçka shumë e keqe.
Sipas mediave të huaja, ai është shprehur se është penduar për veprimin që ka bërë dhe për rregullat që ka thyer, por megjithatë nuk i ka kërkuar falje bashkëshortes së tij.
Matt, ka pranuar se ka shkelur rregullat e distancës sociale, por nuk i ka kërkuar ndjesë bashkëshortes së tij, Martha Hoyer Millr, me të cilën është i martuar prej 15 vitesh.
“Unë pranoj që kam shkelur udhëzimet për distancimin social për këto rrethana. I kam zhgënjyer njerëzit, jam shumë i penduar. Mbetem i përqendruar në objektivin për të nxjerrë vendin nga kjo pandemi dhe do të isha mirënjohës për privatësinë e familjes time dhe timen, në këtë çështje personale”, ka thënë ai.
Laburistët e nxitën kryeministrin të shkarkojë Hancock, duke e quajtur pozicionin e tij të paqëndrueshëm. Por Downing Street tha se Boris Johnson pranoi faljen e Hancock dhe e konsideron çështjen të mbyllur.
I pyetur nëse kryeministri kishte besim të plotë te Hancock, zëdhënësi i Kryeministrit u përgjigj: “Po”.