Një djalë shtatëvjeçar dyshohet se është lënë i vetëm nga babai i tij gjatë ngjitjes në malin Fuji në Japoni, raportojnë mediat japoneze.
Policia u thirr rreth orës 07:40 të mëngjesit të së enjtes në stacionin e gjashtë të shtegut Fujinomiya, në prefekturën Shizuoka, pasi një punonjës i një strehimoreje malore njoftoi se një fëmijë ishte lënë vetëm.
Fëmija u gjet i ulur në një stol pranë strehimores, në një lartësi prej rreth 2,490 metrash mbi nivelin e detit, shkruan Mirror.
Sipas televizionit japonez TV Asahi, 7-vjeçari po ngjitej në mal së bashku me babanë dhe dy persona të tjerë. Ai u tha policëve se ishte “i lodhur” dhe se babai i tij kishte vazhduar përpara, duke i thënë të “priste aty”.
Fëmija, nga qyteti Nagoya në prefekturën Aichi, u gjet pa lëndime.
Raportohet se policia e thirri babanë, i dha një paralajmërim dhe më pas ia dorëzoi fëmijën përsëri nën kujdesin e tij.
Ngjarja ka nxitur debat në Japoni për sigurinë e fëmijëve, pavarësisht se pavarësia dhe vetëbesimi te fëmijët shpesh inkurajohen që në moshë të hershme.