Katër mjekëve specialistë të Spitalit të Gjakovës, Selajdin Boshnjakut (ortoped), Dalip Muhadrit (anesteziolog), Fisnik Vulës (ortoped) dhe Shkëndije Shehut (anesteziologe) u janë revokuar licencat për gjashtë, përkatësisht tre muaj, nga ana e Bordit Etik Profesional të Ministrisë së Shëndetësisë.
Kjo, pasi ata janë shpallur përgjegjës se i kishin operuar këmbën e djathtë një pacienteje nga rrethi i Gjakovës, ndonëse ajo kishte të thyer këmbën e majtë, duke bërë kështu një gabim të natyrës banale.
“Zëri” raporton se bazuar në vendimin e Bordit Etik Profesional, drejtori i Spitalit të Gjakovës, Ahmet Asllani, i ka suspenduar këta mjekë.
Ngjarja ka ndodhur në fund të muajit gusht të vitit 2015, kur gruaja 82-vjeçare S.O., kishte të thyer ijën e majtë, por te ajo është intervenuar në fillim të shtatorit, në anën e kundërt – në ijën e djathtë.
Kjo konfirmohet në një raport të Inspektoratit Shëndetësor të Kosovës, të protokolluar më 21 janar 2016, që i është proceduar Bordit Etik Profesional të Ministrisë së Shëndetësisë.
Në këtë raport, që gazeta e ka siguruar bazuar në kërkesën për qasje në dokumente publike jepen detaje për gabimet profesionale, por edhe teknike dhe administrative e menaxheriale të ndodhura në rastin e pacientes tashmë të ndjerë.