Shkolla e turizmit nga Lucerni i Zvicrës dhe UBT muajve në vijim do të zhvillojnë një varg aktivitetesh të përbashkëta. Pajtimi për këtë bashkëpunim është arritur gjatë një vizite të një delegacioni nga kjo shkollë në UBT, me ç’rast u diskutuan fushat dhe mundësitë e bashkëpunimit.
Drejtues të UBT-së diskutuan lidhur me mundësitë e bashkëpunimit në fushën e turizmit me Marcel Furer nga Kolegji për Edukim i Lucernit, Werner Furrer nga Akademia e Turizmit, Burim Lleshi nga Asociacioni për Menaxhimin e Destinacionit, si dhe Dren Zatriqi nga Swisscontacti.
Bashkëpunimi do të përfshijë shkëmbimin e përvojave përmes mobilitetit të stafit dhe studentëve në sektorin e turizmit në nivelin profesional dhe akademik.
Fillimisht shkolla e turizmit nga Lucerni do të sjellë një grup studentësh, të cilët do të punojnë së bashku me studentët e UBT-së në projekte për përmirësimin e shërbimeve në këtë sektor, ndërsa në vazhdim do të punohet në projekte konkrete dhe në vizita të dyanshme.