Serbia faktor rrezikues i paqes në Ballkan

Prishtinë | 20 Jan 2017 | 13:24 | Nga Albulena Misini Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kolegji UBT ka organizuar konferencën me temën “Paqendërtimi në Kosovë: Transformimi i kushteve të konfliktit për paqe të qëndrueshme”, në të cilën u diskutuan zhvillimet dhe sfidat për qëndrueshmërinë e paqes në Kosovë.

Në këtë konferencë u theksua se viti 2016 ka shënuar zhvillime politike në Bashkimin Evropian të cilat gjejnë rajonin dhe Kosovën me dilema të rëndësishme gjeopolitike dhe sfida të brendshme që cenojnë stabilitetin dhe rrezikojnë arritjet shumëvjeçare të paqendërtimit.

Në konferencë u trajtuan faktorët destabilizues dhe cenuesit kryesorë të procesit të paqendërtimit në Kosovë dhe më gjerë, me ç’rast panelistët u pajtuan se shteti i Serbisë është njëri ndër rrezikuesit e përhershëm të paqes në Ballkan.

Rektori i UBT-së, prof. dr Edmond Hajrizi tha se situata aktuale e krijuar në Kosovë e ka krijuar një pasiguri të madhe brenda instancave më të larta shtetërore, por edhe në popull.

“Gjendja e krijuar e ka luhatur sigurinë e përgjithshme dhe ka shkundur rrënjët e paqes së brishtë në vendin tonë, të ndërtuar ndër vite”, tha Hajrizi.

Duke folur për angazhimin e UBT-së në këtë fushë, ai theksoi se institucioni të cilin ai e drejton, po mundohet që përmes debateve dhe publikimeve të ndryshme, të ndikojë në vetëdijesimin dhe ndërgjegjësimin e gjeneratave të reja për zhvillimet aktuale.

“Organizimi i kësaj konference dhe promovimi i këtij libri, është rezultat i dëshirës për të gjeneruar dije dhe për të kontribuuar në ngritjen e vetëdijes së studentëve tanë për proceset e rëndësishme nëpër të cilat po kalon vendi ynë”.

Profesor Behlul Beqaj ka folur për “Cenuesit potencialë të paqes në Kosovë dhe përgjigja e mundshme nga sistemit i edukimit dhe politika”.

Ai tha se cenuesit potencial të ndërtimit apo të rrezikimit të paqes në Kosovë nuk i sheh vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë.

“Kemi një riformulim të titullit për arsye të përfshirjes potenciale të të gjitha faktorëve potencialë që ndikojnë në procesin e ndërtimit apo të rrezikimit të paqes”, tha Beqaj.

“Regjioni i ynë është i kufizuar mjerisht me potencialet demokratike dhe me aftësi regjeneruese  të shkaqeve të konfliktit, veçmas të nacionalizmit. Jo rastësisht  Ballkani me dekada konsiderohet si fuqi baroti.”, tha ai.

Analistja dhe aktivistja e shoqërisë civile, Besa Luzha, tha se mungesa e komunikimit dhe pamundësia e një jete të përbashkët mes kosovarëve dhe serbëve të Kosovës, si dhe mungesa e informacioneve për gjenezën e konfliktit ka bërë që sipas saj, secila palë të krijojë të vërtetën e vet mbi bazat e diskursit të tyre nacionalist.

“Institucionet  dhe qytetarët duhet të kenë njoftim të thuktë dhe objektiv mbi arsyet e konflikteve sepse vetëm atëherë krijohet mendimi kritik  dhe e drejta objektive për të gjitha palët e përfshira në konflikt, e kjo mundësohet përmes procesit të njohjes dhe të pranimit”, potencoi Luzha.

Ajo tha se të rinjtë e kësaj gjenerate të gjitha informata i kanë prej medieve në mënyrë sipërfaqësore , “nuk e kanë atë memorien kolektive që e ka gjenerata jonë që e kemi përjetuar atë periudhë, atë konflikt”.

“Këta të rinj flasin për këtë konflikt por nuk i kanë informatat për këtë konflikt mes Kosovës dhe Serbisë”, tha ajo.

Sipas saj institucionet edukative kanë obligim parësor që ta promovojnë të vërtetën në mënyrë objektive historinë realitetin të gjitha ngjarjet që ndodhin në të cilën jetojmë ne.

Njohësi i fushës së paqendërtimit, njëherësh edhe autor i librit të botuar, Ramadan Ilazi vlerësoi se mungesa e procesit të ballafaqimit të mirëfilltë me të kaluarën do të jetë rrezikues i vazhdueshëm i procesit të vendosjes së paqes mes Kosovës dhe Serbisë.

“Qytetarët e Kosovës janë të ndrydhur mes kërkesës për drejtësi dhe nevojës për paqe, ndërkaq Serbia nuk është e gatshme për ballafaqim me të kaluarën e vet”, tha Ilazi, për të vijuar se “zgjidhja është tek realizimi i një konsensusi politik, por edhe popullor”

Duke folur për nevojën e botimit të një libri të tillë, i cili është i pari i këtij lloji në gjuhën shqipe, autori tha se libri “Ndërtimi liberal i paqes” është përmbledhje pedagogjike e debateve akademike dhe e literaturës mbi procesin e paqendërtimit.

Profesor Ramadan Ilazi, ka folur për kërcënimet ndaj arritjeve të procesit të paqendërtimit liberal në Kosovë”. Ai tha se përkrahja e vitit 1999 në Kosovë kishte qëllim ndërtimin e paqes liberale që përfaqësohet në masë të madhe përmes tri shtyllave kryesore liberale, demokratizimin, krijimin e institucioneve demokratike tregun e lirë, si dhe zotimin ndaj të drejtave të njeriut.

“Kërcënimi kyç i këtyre arritjeve është më shumë që ne kemi pasur një proces të ballafaqimit me të kaluarën, ka pas përpjekje dhe vazhdon të ketë përpjekje sidomos nga shoqëria civile për të dokumentuar krimet që kanë ndodhur gjatë luftës, por edhe pajtimin ndëretnik, mirëpo nuk kemi ballafaqim në të kaluarën, ne e kemi një të vërtetë tonën, e cila vazhdon fatkeqësisht duke e promovuar edhe përmes sistemit të tyre të edukimit dhe politikës”.

Krahas diskutimit në panel, gjatë kësaj tryeze UBT promovoi publikimin, “Paqe-ndërtimi Liberal: Përmbledhja pedagogjike e debateve akademike dhe literaturës mbi paqendërtimin.

ubt3

 

Të ngjashme