Rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi dhe ministri i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit, Pal Lekaj, në emër të dy institucioneve, kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi. Përmes kësaj marrëveshjeje, studentëve të UBT-së, u jepet mundësia që të kryejnë praktikë profesionale në ministri.
Konkretisht, angazhimi i studentëve do të jetë në fushat që lidhen kryesisht me infrastrukturën e transportin, në hartimin e strategjive, planeve e politikave si dhe zbatimin të legjislacionit në fushat përkatëse, konform standardeve evropiane.
Ministri Lekaj tha se ekspertiza e studentëve të UBT-së, do të jetë vlerë e shtuar për dikasterin që ai drejton, me dhënie të kontributit drejt realizimit sa më të mirë të projekteve.
Ai theksoi gatishmërinë e tij dhe të institucionit që drejton, në ofrim të mundësive për aftësim të gjeneratave të reja.
Ndërkaq, rektori Hajrizi e falënderoi ministrin Lekaj për ndihmën e çmueshme në përgatitjen e kuadrove të reja, krahas teorisë edhe me anën praktike.
UBT ka marrëveshje bashkëpunimi me shumë institucione publike, përfshirë edhe ministri, me të cilat janë realizuar aktivitete të shumta, nga të cilat kanë përfituar studentët e UBT-së, si dhe qytetarët e Kosovës.