UBT krijon mundësi studimi në universitetin “NOVA de Lisboa”

Prishtinë | 11 Nën 2016 | 18:03 | Nga

Partneriteti i Universitetit për Biznes dhe Teknologji (UBT) me universitetin e Portugalisë, “NOVA de Lisboa”, u ka krijuar mundësi studentëve të UBT-së që për 5 muaj radhazi të kenë mundësi për të studiuar në atë universitet.

Për këtë mundësi, studentët janë njoftuar të premten nga përfaqësuesit e universitetit “NOVA de Lisboa”, João Martines dhe Eduardo Guerreiro, në një sesion informues, në kampusin e UBT-së në Prishtinë.

Këta të fundit, njoftuan studentët e UBT-së për bursat që i ofron universiteti që e përfaqësojnë, kushtet në të cilat studiohet, për programet akademike në fakultetet e tyre, vendndodhjen e objekteve universitare, si dhe për mundësitë e tjera që u ofrohen.

Guerreiro dhe Martines u shprehën të kënaqur për mundësinë e bashkëpunimit me UBT-në, teksa folën edhe për përfitime të tjera që do të kenë studentët.

“Studentët do të kenë mundësi të qëndrojnë 5 muaj në universitetin tonë, duke përfituar nga shërbimet mujore, kurset e gjuhës, sigurimin shëndetësor, si dhe njohjen me njerëzit dhe kulturat e reja”, tha Martines.

Pak ditë më parë, përfaqësuesit e këtij universiteti të njohur portugez, janë pritur edhe nga rektori i UBT-së, prof. dr. Edmond Hajrizi, ndërsa janë njoftuar për mundësitë që i ofron UBT-ja për shkëmbim të stafit akademik e të studentëve midis dy universiteteve.

“Duke e pasur si partner të rëndësishëm universitetin ‘NOVA de Lisboa’ të Portugalisë, ne do të bëjmë edhe projekte të tjera të përbashkëta, në interes të studentëve dhe të stafit akademik të universiteteve përkatëse”, ka thënë rektori Hajrizi.

Universiteti “NOVA de Lisboa” gjendet në kryeqytetin e Portugalisë, në Lisbonë.

Përbëhet nga 5 fakultete, 3 institute dhe 1 shkollë profesionale. Aktualisht, në universitetin “NOVA de Lisboa” studimet i vijojnë 19 mijë e 516 studentë, prej të cilëve 1827 janë të huaj, si dhe nga një staf akademik prej 1591 vetash.

Mundësia për bashkëpunim dhe shkëmbim të studentëve midis UBT-së dhe universitetit “NOVA de Lisboa”, është në kuadër të Programit evropian për studime, Erasmus +.

UBT e universiteti “NOVA de Lisboa” i Portugalisë tashmë janë në një projekt të përbashkët dhe kanë bashkëpunim të vazhdueshëm në projekte evropiane e ndërkombëtare.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme