Falë angazhimit të UBT-së në krye me rektorin e UBT-së Edmond Hajrizi, Kosova, para të gjitha shteteve të tjera në rajon, ka arritur të jetë anëtare e rregullt e Organizatës Evropiane për Cilësi.
Rektori i UBT-së Edmond Hajrizi ka shpjeguar se përkundër barrierave dhe sfidave që Republika e Kosovës ka në procesin e integrimit evropian, përmes organizatës Quality Kosova, një spinof i UBT-së, është arritur që vendi ynë të jetë pjesëmarrës me të drejta të plota në Organizatën Evropiane për Cilësi.
Ai shpjegoi se asnjë vend i rajonit, përfshi këtu Serbinë, Malin e Zi e Maqedoninë nuk e kanë të siguruar statusin e anëtarit të plotë deri më tani.
Përpos mbledhjes së asamblesë së përgjithshme, rektori Hajrizi ishte pjesëmarrës i edicionit të 61-të të kongresit të Organizatës Evropiane për Cilësi, po ashtu ngjarje më e madhe ndërkombëtare për cilësi, me temën “Suksesi në epokën digjitale me cilësinë si shtytësin kryesor” që është mbajtur në Bled të Sllovenisë.
Me rastin e pjesëmarrjes në këtë kongres,Edmond Hajrizi deklaroi se Republika e Kosovës po kalon nëpër fazën e rëndësishme të konsolidimit të shtetësisë së saj, përmes procesit të integrimit evropian dhe për këtë, UBT po ofron kontributin e drejtpërdrejtë në përafrimin e shtetit me Bashkimin Evropian, përmes ofrimit të praktikave më të mira dhe përcjelljen e trendëve të fundit në fushën e arsimit, teknologjisë dhe inovacionit, si pjesëmarrëse e barabartë në ngjarjet më të mëdha botërore në këto fusha.
“Të gjithë ne kemi përgjegjësi për të punuar në avancimin e së ardhmes evropiane të Republikës së Kosovës dhe fushat e standardizimi, cilësisë, akreditimi dhe të certifikimit që kanë një rol kyç në këtë drejtim posaçërisht në një vend të vogël siç është Kosova”, theksoi Hajrizi.
Kosova, përmes organizatës Quality Kosova UBT-së, është e anëtarësuar në Organizatën Ndërkombëtare për Cilësi që nga viti 2009.