Zyra e Statistikave të UBT-së (UBT STATS), ka publikuar statistikat e Sektorit të telekomunikacionit në nivel të institucioneve individuale.
Këto statistika tregojnë se tregu i telekomunikacionit në Kosovë vazhdon të dominohet nga PTK dhe IPKO të cilat marrin pjesë me 54% respektivisht 45%, përderisa ZMobile merr pjesë me 1% të tregut.
“Duhet cekur që nëse shikojmë PTK-në në kontekst të periudhës 2007 – 2013 ka një zvogëlim të vazhdueshëm të aseteve për 59.4% ose nga 408.3 milionë euro sa ishte në 2007 në 165.8 milionë euro në 2013. Zvogëlimi më i theksuar ka ndodhur në vitet 2008 – 2009 duke u zvogëluar për 148 milionë euro, ose nga 411.9 në vitin 2008 në 263.9 milionë euro në vitin 2009”, thuhet në raport.
Edhe pse të dhënat në dispozicion nuk e lejojnë një krahasim të tillë për IPKO-n, shikuar në kontekst vjetor 2013 – 2014, ka një trend stabil me një rënie të lehtë prej 2.1% të aseteve, duke shënuar vlerën prej 139.1 milionë euro në fund të vitit 2014.
Sa i përket Z-Mobile, vlera totale e aseteve qëndron në 4.6 milionë euro.
Pas publikimit të statistikave të sektorit të telekomunikacionit në nivel të institucioneve individuale, UBT STATS bën të ditur se do të publikojë edhe statistikat mbi sektorin e sigurimeve po ashtu në nivel individual dhe bazuar në pasqyrat e audituara financiare të publikuara në faqet e internetit të institucioneve përkatëse
UBT STATS është themeluar në vitin 2013 dhe qëllim kryesor ka organizimin e informatave në formën që ato të jenë më të strukturuara, më lehtë të kuptueshme, të krahasueshme si dhe bëjnë të mundur përdorimin e tyre për qëllime analitike.
Lexo publikimin e UBT STATS rreth telekomunikacionit në Kosovë: