Përfaqësuesja e Zvicrës ka marrë një fitore në tavolinë 3-0 ndaj Ukrainës, në ndeshjen e paraparë me 17 nëntor, por që nuk u zhvillua.
Helvetikët i kanë shpëtuar rënies në Ligën B të Ligës së Kombeve, pasi UEFA i dha fitoren 3-0 në tavolinë për ndeshjen me Ukrainën, e cila nuk u luajt sipas programit më 17 nëntor në qytetin e Lozanës.
Kjo pasi dy futbollistë ukrainas kishin rezultuar pozitivë ndaj coronavirusit dhe autoritetet e qytetit i vendosën menjëherë në karantinë në hotel e nuk lejuan që pjesa e mbetur e lojtarëve të shkonin në stadium për ndeshjen.
Duke qenë se nuk ka data të lira për rikuperimin e kësaj ndeshjeje, UEFA vendosi t’i japë fitoren 3-0 në tavolinë përfaqësueses helvete, që ngjitet kështu në kuotën e 6 pikëve në grup dhe shmang rënien një Ligë më poshtë.
Ajo që e pëson është Ukraina, që jo vetëm humb ndeshjen në tavolinë për bllokimin e ndeshjes jo për faj të saj, por edhe do të detyrohet të zbresë një ligë më poshtë, pasi në edicionin e ardhshëm do të garojë në Ligën B, ku bën pjesë edhe Shqipëria. /Telegrafi