As vizita e presidentit të UEFA-s në Zagreb nuk e shtoi përkrahjen për idenë e krijimit të një lige ballkanike në futboll, e sponsorizuar fuqimisht nga Serbia por e kundërshtuar nga shumë vende të ish-Jugosllavisë.
Turneu rajonal që supozohej se do të përplaste më të mirët e Ballkanit nuk është përkrahur nga ana e qeverisë së futbollit kontinental.
Jugoliga, siç ishte pagëzuar nga mediat me seli në Beograd, kishte në plan sipas ideatorëve, të përfshinte ekipe të Kroacisë, Sllovenisë, Malit të Zi, Bosnjes, Serbisë, Maqedonisë, Hungarisë. Në planin rajonal nuk përfshiheshin ekipe nga Shqipëria dhe Kosova.
Shtëpia e futbollit europian, në një letër zyrtare, mohoi se ishte arritur ndonjë marrëveshje për themelimin e ligës. “Të gjitha raportimet rreth krijimit të një lige të Ballkanit nën kujdesin tonë janë të pavërteta. UEFA nuk ka miratuar ndonjë vendim për organizimin e evenimenteve të tilla”, shkruan në letrën e UEFA-s drejtuar mediave kroate.
Më parë, presidenti i UEFA-s Aleksander Ceferin kishte thënë se disa zyrtarë lokalë kishin përkrahur iniciativën por kjo kishte mbetur vetëm në fazën e krijimit. Mediat kroate nënvizojnë se arsye për refuzimin nga UEFA, janë konfliktet e mbartura mes vendeve të rajonit dhe tensionet që dalin shpeshherë në sipërfaqe, sidomos në ndeshjet e futbollit.
Në mendjet e tifozëve ende nuk janë larguar trazirat e ndeshjes mes Serbisë dhe Shqipërisë dy vjet më parë, ndërsa përplasje dhe kore raciste ka pasur në thuajse çdo ndeshje të Crvena Zvezdës së Beogradit.