Emrush Ujkani, ligjërues universitar i së drejtës së Bashkimit Evropian, ka thënë se Kosova duhet të jetë besnike ndaj vlerave të demokracisë dhe ndaj vendeve dhe popujve miq të saj, shkruan sot “Koha Ditore”.
E ka deklaruar këtë në një intervistë dhënë “Kohës Ditore”, në të cilën ka komentuar mbi pasojat për vendin që mund të rrjedhin pas deportimit të gjashtë turqve që Ankaraja zyrtare i konsideron si terroristë.
“Veprimet e institucioneve të Kosovës duhet të jenë mirë të menduara dhe të koordinuara me aleatët tanë, qofshin ata në Perëndim apo diku tjetër. Në aleatë mendoj shtetet dhe jo individët”, ka thënë ai. “Një moskoordinim i tillë mund t’i kushtojë shumë Kosovës në të ardhmen”.
Në këtë intervistë Ujkani ka folur për vetë aksionin dhe mungesën e veprimit dhe koordinimit ndërinstitucional. Po kështu, edhe për implikimet në raportet ndërkombëtare që për Kosovën mund t’i ketë ky zhvillim, e veçmas në raport me Perëndimin. U është referuar pasojave të brendshme, sikurse edhe impaktin që ngjarja ka në raportet me Turqinë.