“Ukraina humb gjithçka nëse njeh Kosovën”, Goncharenko: Vuçiq është manipulues

Prishtinë | 16 Gus 2023 | 12:30 | Nga Ekonomia Online

56 parlamentarëve që iu drejtuan Brukselit, Washingtonit e Londrës që të ndryshohet kursi në raport me Kosovën dhe Serbinë iu bashkuan edhe dy nga Parlamenti i Ukrainës, të cilët vunë nënshkrimet e tyre në një dokument që flet për sovranitetin e shtetit të Kosovës.

Oleksandr Merezhko, kryesues i Komisionit për Punë të Jashtme të Ukrainës dhe deputeti Oleksiy Goncharenko. Me këtë hap të ligjvënësve ukrainas u shtuan zërat se Kyiv’i po shkon drejt njohjes së Kosovës. Çfarë thotë mbështetësi i Kosovës në Ukrainë Oleksiy Goncharenko për këtë mundësi

Për nënshkrimin e Merezhkos nëse ishte i koordinuar nga shteti apo vendimi ishte vetëm i tij, Goncharenko nuk u përgjigj, por për nënshkrimin e tij në një bisedë me Gazetën Express ai tha se ishte i nënkuptueshëm që do të gjente vend në letrën e parlamentarëve nga Europa dhe SHBA.

“Vendosa ta nënshkruaj këtë letër, qëndrimi im për Kosovën dihet prej kohësh. Kam dorëzuar në Parlament [të Ukrainës] një projekt-rezolutë për njohjen e pavarësisë së Kosovës, kam shkuar edhe në Kosovë, kam mbajtur një fjalim në parlamentin e atjeshëm dhe kam takuar presidenten dhe kryeministrin. Pra, padyshim që edhe unë e firmosa këtë letër”.

Goncharenko thotë se letra e tyre flet për nevojën për t’u ripërqëndruar në de-përshkallëzimin dhe parandalimin.

“Mendoj se duhet bërë më shumë përpjekje në këtë drejtim”, thotë ai.

Disa ditë pas publikimit të letrës, ambasadori ukrainas në Serbi Volodymyr Tolkac, duke insistuar se Ukraina s’ka ndryshuar qëndrim ndaj Kosovës, e pranoi se në Ukrainë po shtohen zërat për njohjen e Kosovës.

Për këtë, Goncharenko thotë se në Ukrainë ekziston një debat pro dhe kundër. Por, ‘kërcënimet’ e presidentit serb Aleksandar Vuçiq ndaj Ukrainës në rast se e njeh Kosovën, deputeti ukrainas i quan manipulime.

“Në shoqërinë tonë ende ka debate për njohjen e pavarësisë së Kosovës, disa deputetë janë pro, disa janë kundër. Por presidenti Vuçiq tha se deklarata të tilla nga ana jonë do të shkelin normat e së drejtës ndërkombëtare. Ky është manipulim. Në vitin 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e OKB-së pranoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Për mendimin tim, njohja e pavarësisë së Kosovës është një vendim i domosdoshëm”.

Këtu, Goncharenko nxori në pah edhe një kundërthënie të Vuçiqit, i cili tha se Ukraina “humbet gjithçka” po e njohu Kosovën.

“Siç thashë, Vuçiq është manipulues. Ai flet për marrëdhënie të mira mes vendeve tona. Le të fillojmë me më të dukshmen apo jo? A ka vendosur Serbia sanksione kundër Rusisë? Jo. A e mbështet në mënyrë aktive pozicionin e Ukrainës? S’e shoh as këtë. Do të doja të dëgjoja nga presidenti Vuçiq, çfarë saktësisht do të humbasim?”.

Goncharenko thotë se nuk e di se çfarë pozicioni ka tani presidenti Zelensky rreth Kosovës, por në pyetjen nëse Perëndimi po ia kërkon Ukrainës t’i bashkohet në njohjen e pavarësisë së Kosovës, deputeti thotë se Ukraina është një shtet i pavarur që merr vendimet e veta dhe udhëheq politikën e saj të brendshme dhe të jashtme.

Në shkrimin për letrën e parlamentarëve që iu drejtua tri kryeqendrave, gazeta britanike “The Guardian” tha se prapa skenave, kosovarët e kanë akuzuar lidershipin e BE-së dhe SHBA-së se po e zbusin Serbisë për shkak të frikës se Rusia do të përfshinte veten në Ballkanin Perëndimor.

Të njëjtën drojë e ka edhe Goncharenko, i cili thotë se Rusisë i nevojiten tensione në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Jam i sigurt se Rusia me të vërtetë dëshiron të ndërhyjë, sepse për Putinin, çdo destabilizim është tashmë një fitore. Ai ka shumë ndikim në Serbi dhe unë do të isha shumë i kujdesshëm për këtë. Përleshjet e ardhshme të Putinit janë shumë të nevojshme, ne duhet të largojmë vëmendjen nga lufta në Ukrainë, në mënyrë që bota të na ndihmojë më pak në mënyrë aktive. Prandaj, nuk do të habitem që ai do të bëjë gjithçka për ta bërë Ballkanin të parehatuar. Ju duhet të jeni shumë të kujdesshëm për këtë. Provokimet nuk lejohen”.

56 parlamentarë nga Europa dhe SHBA hartuan një kërkesë për politikë më të balancuar ndaj atyre që po udhëheqin përpjekjet për të arritur një normalizim marrëdhëniesh mes Kosovës e Serbisë.

“Jemi duke kërkuar për balancë dhe proporcionalitet në marrëdhëniet me Kosovën dhe Serbinë”, thuhet në letrën e nënshkruar nga parlamentarët në mesin e të cilëve janë edhe dhjetë kryetarë të komiteteve për punë të jashtme.

Letra iu dërgua kryediplomatit të BE-së Josep Borrell, Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, dhe Sekretarit të Jashtëm britanik James Cleverly.

Bashkimi Europian e Mbretëria e Bashkuar konfirmuan se kanë pranuar këtë letër, ndërsa nga Departamenti amerikan i Shtetit thanë se nuk i komentojnë komunikimet diplomatike.

Të ngjashme