Nëse ka një investim, vlera e të cilit do të rritet vazhdimisht janë pasuritë e paluajtshme, toka dhe objekte të ndërtuara (banesa, apo zyra e objekte biznesi).
Megjithatë, të dhënat e fundit të Bankës së Shqipërisë, tregojnë se ka një ulje të përkohshme të çmimit, për shit-blerjen e banesave, e më tepër në tregun e qirasë.
Sipas vrojtimit të Bankës së Shqipërisë, në Tiranë çmimet e apartamenteve ranë 2.5% në tremujorin e dytë të këtij viti. Kjo erdhi edhe pse niveli i shitblerjeve është rritur 4 herë më shumë se çmimi (i ulur).
Sipas BSH, ritmi i shitjeve u rrit 9.9% në në këtë tremujor, nga 7.5% që u rrit tremujorin e mëparshëm.
Por nëse në tërësi çmimet në tregun e banesave ranë 2.5%, në qiradhënie, çmimi ra 7.5% në muajin qershor, krahasuar me një vit më parë.
Faktorët vlerësohet të jenë të përkohshëm, të lidhur me faktorë sezonalë.
Sipërmarrës në tregun imobiliarë, thonë se muajt e fundit (korrik-gusht) kjo tendencë ka ndryshuar, duke shkuar drejt rritjes së çmimit.
Sektori i ndërtimit është riaktivizuar tre vitet e fundit, me shtimin e lejeve për ndërtim. Kantiere te shumta në kryeqytet kanë hapur debatin, nëse rrezikon të krijohet një fluks i mundshëm në shitblerjen e pronave. Prej vitesh, megjithatë, zyrat imobliare raportojnë interes në rritje për blerje apartamentesh e zyrash në disa zona të preferuara, ndërsa periferia e Tiranës vijon të mbetet me mijëra apartamente të pashitura.