Ulqini ashpërson masat: Gjoba deri në 500 euro për turistët gjysmë të zhveshur

Prishtinë | 18 Maj 2026 | 10:09 | Nga Ekonomia Online

Kryetarja e Kuvendit Komunal të Ulqinit, Ivana Popoviq, ka njoftuar miratimin e një rregulloreje të re për sjelljen në hapësirat publike, me synim ruajtjen e rendit, etikës dhe imazhit turistik të qytetit.

Sipas vendimit të miratuar në seancën e fundit, ndalohet lëvizja me rroba banje apo me trup pjesërisht të zhveshur jashtë zonave të plazhit dhe notit. Rregullorja përfshin rrugët, sheshet, shëtitoren, parqet, zonat e këmbësorëve dhe hapësirat e gjelbra publike.

Autoritetet paralajmërojnë se shkelësit do të përballen me gjoba nga 350 deri në 500 euro.

“Rregullorja u miratua për të ruajtur rendin, kulturën e sjelljes dhe respektin ndaj hapësirave të përbashkëta publike”, deklaroi Popoviq.

Ky vendim vjen në një kohë kur debatet mbi sjelljen e turistëve në zonat bregdetare janë shtuar edhe në rajon. Në Shqipëri, shqetësimi publik është rritur jo vetëm për lëvizjen e turistëve me rroba plazhi jashtë vijës bregdetare, por edhe për rastet e plazhit nudo në disa zona turistike, fenomen që po konsiderohet nga shumë qytetarë si problematik dhe shqetësues për familjarët dhe komunitetin lokal.

Të ngjashme