Ultrazëri shkatërron 80 për qind të kancerit të prostatës në një studim njëvjeçar

Prishtinë | 09 Dhj 2019 | 08:49 | Nga Ekonomia Online

Trajtimi i kancerit të prostatës përmes mjeteve tradicionale siç është operacioni ose radioterapia mbart rreziqe të caktuara, ku disa pacientë pësojnë impotencë, probleme urinare dhe probleme me zorrët, mes efekteve tjera të padëshiruara anësore.

Megjithatë, së shpejti do të mund të ofrohen opsionet më të sigurta dhe më pak invazive të trajtimit, duke përfshirë një teknikë të re të ultrazërit të drejtuar me MRI e cila i eliminoi kanceret e konsiderueshme në 80 për qind të subjekteve në një studim njëvjeçar.

Teknika e re është MRI-guided transurethral ultrasound ablation (TULSA) dhe ka qenë në zhvillim për disa vite. Teknologjia minimalisht invazive përfshin një kateter që hyn në gjëndrën e prostatës përmes uretrës dhe emeton valë tingujsh shumë të kontrolluara në mënyrë që t’i nxejë dhe shkatërrojë indet e sëmura, duke i lënë indet e shëndetshme të padëmtuara.

Këto valë vijnë nga 10 elemente ngrohjeje të integruara në gjatësinë e kateterës për ta trajtuar tërë gjëndrën e prostatës, shkruan Koha Ditore. Një algoritëm kontrollon se cili nga këto elemente i emiton valët e zërit në çdo kohë, së bashku me formën, drejtimin dhe forcën e tyre. E gjithë kjo bëhet brenda një skaneri MRI, duke ua mundësuar mjekëve ta përcjellin nga afër se cilat inde po nxehen dhe sa po nxehen.

“Për dallim nga sistemet e tjera të ultrazërit që janë në treg, ju mund ta monitoroni procesin e ablacionit me ultratingull në kohë reale dhe të merrni reagime të menjëhershme të MRI për dozën termike dhe efikasitetin”, thotë bashkautori i studimit dr. Steven S. Raman profesor i radiologjisë dhe urologjisë në Universitetin e Kalifornisë në Los Angeles. “Është një procedurë ambulantore me kohë minimale rikuperimi”.

Raman dhe ekipi i tij kohët e fundit e testuan TULSA në një studim që i përfshiu 115 meshkuj me kancer të prostatës me rrezik të ulët ose të mesëm, i cili ishte i kufizuar në gjëndër. Trajtimi me TULSA u administrua në të gjithë gjëndrën për një kohë mesatare prej 51 minutash, ndërsa kanceret më pas u rivlerësuan 12 muaj më vonë.

Këto vëzhgime pasuese i zbuluan disa rezultate jashtëzakonisht premtuese. “Kanceri i konsiderueshëm klinikisht” u eliminua plotësisht në 80 për qind të subjekteve një vit pas trajtimit me TULSA. Gjashtëdhjetë e pesë për qind e subjekteve nuk patën fare dëshmi të kancerit në biopsitë e tyre, ndërsa antigjeni specifik i prostatës (PSA), biomarkeri kyç për kancerin e prostatës, kishte rënë me një mesatare prej 95 për qind.

Nuk u raportua asnjë komplikim i zorrëve, ndërsa grupi raportoi norma të ulëta të toksicitetit të rëndë, norma të ulëta të impotencës dhe pothuajse fare inkontinencë (humbje e pavullnetshme e urinës nga fshikëza). Për më tepër, teknika mund të përdoret për të trajtuar çrregullime të tjera beninje, si zmadhimi i prostatës. Mesatarisht, vëllimi i prostatës midis subjekteve të studimit ra nga 39 centimetër kub sa ishte më parë, në 3.8 centimetër kub pas trajtimit.

“Janë dy gjëra shumë unike në lidhje me këtë sistem”, thotë Raman. “Së pari, vendin ku doni të trajtoni mund ta kontrolloni me shumë më tepër finesë, duke e ruajtur kontinencën dhe funksionin seksual. Së dyti, këtë mund ta bëni si për kancerin e difuzuar të prostatës ashtu edhe për atë të lokalizuar si dhe sëmundjet beninje, përfshirë hiperplazinë beninje.”

Shkencëtarët tani po punojnë drejt studimeve të mëtejshme për t’i mbështetur këto rezultate emocionuese. Ndërkohë që TULSA tashmë është aprovuar për përdorim klinik në Evropë, dhe pasi që së fundmi ka marrë miratim paraprak nga FDA si metodë e sigurt dhe efektive për trajtimin e prostatës në SHBA, shpresohet që do të mund ta arrijë përdorimin klinik në SHBA në të ardhmen e afërt.

Shkencëtarët i prezantuan rezultatet e hulumtimit në takimin vjetor të Radiological Society of North America, ditë më parë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme