Bie padia e Avokatit të Popullit ndaj KQZ-së që kërkonte rishikim listash për barazi gjinore

Prishtinë | 01 Tet 2019 | 20:00 | Nga Ekonomia Online

Gratë deputete në vitin 2017, kanë ngritur më shumë çështje se kolegët e tyre burra, kur bëhet fjalë për ndryshimin e politikave.

Është kjo një prej të dhënave që Rrjeti i Grave të Kosovës, e ka vendosur në broshurat që i ka shpërndarë në mbarë vendin, raporton KTV.

Igballe Rogova, Drejtoreshë e Rrjetit të Grave të Kosovës, fajëson liderët e partive, që, sipas saj, ende nuk i besojnë potencialit të gruas në vendimmarrje.

Javën e kaluar, Avokati i Popullit pas shkeljes së sërishme mbi ligjet për Barazi Gjinore dhe atë për Mbrojtjen nga Diskriminimi, deponoi padi kundër KQZ-së, pasi kjo e fundit certifikoi listat e kandidatëve.

Hilmi Jashari, Avokat i Popullit, rikujton se në vitin 2015, ishin vetë ligjvënësit që kishin kërkuar përfaqësim të barabartë në institucione.

Përveç kësaj, në padinë e Avokatit të Popullit, ishte kërkuar që të vendoset masë e përkohshme në procesin zgjedhor, pra të pezullohej ky proces deri në rishikimin e listave nga KQZ-ja dhe që të njëjtat, të vijnë në përputhje me dispozitat e Ligjit për Barazi Gjinore.

Pasditen e së martës, Avokatit të Popullit, gjykata i ka kthyer një përgjigje negative në këtë kërkesë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në pretendimet e Avokatit të Popullit dhe shoqërisë civile, ishte arsyetuar se kanë respektuar kuotat e përcaktuara me Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme.

Nga KQZ-ja, janë certifikuar gjithsej 1,067 kandidatë për deputetë, e prej tyre vetëm 343 gra.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Të ngjashme