Çekët të pa interesuar për të blerë biletë për ndeshjen me Kosovën pak orë para se të nisë ajo

Prishtinë | 14 Nën 2019 | 12:47 | Nga Ekonomia Online

Duket se çekët nuk janë shumë të interesuar për ta përkrahur ekipin e tyre kombëtar në një ndeshje vendimtare kundër Kosovës për kualifikim në Kampionatin Evropian të vitit 2020.

Republika e Çekisë e pret Kosovën sonte në Plzen në ndeshjen e parafundit në Grupin A kualifikues, duke e ditur se fitorja ia siguron pjesëmarrjen në garën e verës së ardhshme.

Por çuditërisht, edhe pse stadiumi në Plzen ka një kapacitet shumë të vogël, vetëm 11.700 ulëse, biletat ende nuk janë shitur në tërësi.

Dje në konferencën e fundit për media para ndeshjes, trajneri i Çekisë Jaroslav Silhavy, u bëri thirrje tifozëve të blejnë bileta dhe të shkojnë në stadium për ta mbështetur Kombëtaren e tyre.

Sot, megjithatë, disa orë para ndeshjes, interesimi për të blerë biletë në pikat e vetme shitëse, pranë stadiumit ku do të zhvillohet ndeshja, është zero, siç tregojnë fotografitë e siguruara nga Gazeta Express në Plzen në këto momente.

Çekia mori vendim radikal duke e ndryshuar disa herë mënyrën e shitjes së biletave për këtë ndeshje. Së pari i vuri në shitje online dhe pastaj ndërroi mendje për, sic tha, çështje sigurie dhe vendosi t’i shesë ato vetëm në pika shitëse ku tifozët mund t’i blejnë ato duke paraqitur dokumente identifikuese si letërnjoftim dhe pasaportë.

Kosovarëve ua ndaloi blerjen e biletave në çfarëdo forme.

Shumë shqiptarë nga Kosova dhe vendet e tjera që jetojnë në Evropë, nuk ishin në gjendje të blinin biletë me asnjë pasaportë, sepse u kërkohej pasaportë apo letërnjoftim çek. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme