Dy mësimdhënës në Fushë Kosovë rezultojnë pozitivë me COVID-19

Prishtinë | 17 Sht 2020 | 10:18 | Nga Ekonomia Online

Kur ende nuk ka kaluar një javë nga fillimi i mësimit në Kosovë, gjendja në shkollat e Komunës së Fushë Kosovës është rënduar.

Në njërën shkollë fillore të kësaj komune kanë rezultuar disa mësimdhënës pozitiv me COVID-19. Bëhet fjalë për shkollën fillore “Mihal Grameno”, ku ditë me parë është bërë testimi i obliguar i mësimdhënsve nga ana e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik.

Nga testimi i fundit të kësaj shkolle prej 50 sosh, dje kanë rezultuar 2 mësimdhënëse me koronavirus.

Këtë e kanë konfirmuar për FaktePlus nga Komuna e Fushë Kosovës. Islam Shabani, Drejtor i Arsimit në këtë komunë, ka thënë se nga ky testim ka mësimdhënës të infektuar.

Ai thotë se mësimdhënësit e infektuar, janë izoluar që nga dita e djeshme, sipas tij deri më tani në Shkollën Fillore “ Mihal Grameno” janë testuar 50 punëtor të arsimit dhe pritet të testohen edhe 60 të tjerë.

“ Deri më tani janë testuar 100 punëtorë të arsimit, fatkeqësisht në çerdhen publike kanë dalë 5 punëtorë dhe e kemi ndërprerë punën. Rekomandimet nga IKSHPK kanë qenë që të mbyllet çerdhja. Në shkollën fillore “Mihal Grameno” janë testuar 50 punëtorë, dje kanë dalë rezultatet dhe 2 prej tyre kanë rezultuar pozitiv. Unë menjëherë kam marrë masat i kam zëvendësuar këta mësimdhënës të ciklit të ulët dhe nga dje janë në izolim”, tha ai.

Në anën tjetër drejtori i arsimit në Fushë Kosovë pohon se kjo shkollë nuk rrezikon të mbyllet nëse nuk rritet numri i të prekurve me COVID-19.

“ Shkolla nuk është rrezikuar të mbyllet sepse nuk është në përmasa të mëdha, kanë mu testuar edhe 60 punëtorë dhe nëse nuk rritet numri nuk kemi arsye për mbyllje” është shprehur Shabani.

Shabani tutje për FaktePlus ka thënë se në të gjitha shkollat e komunës, janë bërë përgatitjet e udhëzuara nga Institucionet përkatëse.

“Mirë që kemi filluar sipas planit të ministrisë, çdo klasë e kemi ndarë në dy grupe. Nuk ka pauza mes mësimit sepse po dëshirojmë t’i ikim kontakteve. Masat si komunë i kemi marr të gjitha. I kemi dezinfektuar hapësirat shkollore dhe kemi rregulluar shenjat për distanca e të tjera”, tha Shabani.

Ndryshe në këtë komunë, ditë më parë DKA është detyruar ta mbyllë edhe çerdhen publike “Gëzimi Ynë” për shkak të infektimit të 5 punonjësve.

Në anën tjetër, Ministria e Arsimit Shkencës dhe Tekonologjisë e ka cilësuar Komunën e Fushë Kosovës si komunën më të rrezikuar për shkak të numrit të madh të nxënësve.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme