Në Bjeshkët e Rugovës, Gjilanit dhe Vitisë ka vatra të zjarrit ende të pushuara

Prishtinë | 07 Gus 2021 | 13:44 | Nga Ekonomia Online

Situata me zjarret në Kosovë është nën kontroll në gjithë vendin, megjithëse disa vatra janë ende të pashuara plotësisht. Kështu ka konfirmuar për Telegrafin, zëdhënësi në Agjencinë e Menaxhimit Emergjent, Nehat Koçinaj.

Koçinaj deklaroi se raporti i datës 7 gusht bën të ditur se situata është e menaxhueshme.

“Falë gjitha rrethanave dhe reagimit nga momentet e para të shfaqjes së zjarreve, situata konsiderohet nën kontroll në gjithë vendin. Nga raporti i orës 11.00 dt. 07.08.2021 i Qendrës Operative të Agjencisë Menaxhimit Emergjent MPB, situata është e menaxhueshme në gjithë vendin. Vatra te zjarrit ende të pa pushuara plotësisht mbetet e parkut kombëtare Bjeshkët e Rugovës Shtupeq, dhe Rajoni i Gjilanit, zjarri në Komunën e Vitisë fshati i ri. Të dytë janë në kontroll dhe menaxhohen nga forca operative në vendngjarje”, deklaroi ai.

Ndryshe, edhe ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka deklaruar se gjatë ditëve në vijim, njësitet e FSK-së do të vazhdojnë të bëjnë vëzhgimin e terrenit si dhe vlerësimin e situatës në vendin tonë, me qëllim reagimin në kohë për shpëtimin e jetëve të njerëzve, pasurisë së qytetarëve dhe minimizimin e pasojave.

Për situatën e krijuar me zjarre, Policia e Kosovës ka njoftuar edhe përmes raportit 24 orësh. Në raport thuhet se në 24 orët e fundit ka arrestuar një person, i cili i kishte vënë zjarr arës së tij, e që më pas zjarri është përhapur. /Telegrafi/

Të ngjashme