Projeksioni i KOHËS – VV-ja 50.7%, PDK-ja 15.4% dhe LDK-ja 15.1%

Prishtinë | 14 Shk 2021 | 19:04 | Nga Ekonomia Online

Lëvizja Vetëvendosje pritet të fitojë më shumë se 50 për qind të votave të qytetarëve që kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre për votë, sipas projeksionit të KOHËS.

Përkthyer në ulëse në Kuvendin e Kosovës, VV-ja pritet të fitojë 58 deputetë. Në përqindje, VV-ja do të ketë 50.7 për qind të votave.

Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës janë në garë të ngushtë për pozitën e dytë. PDK-ja, sipas projeksionit, pritet të dalë e dyta me 15.4 për qind, ndërsa LDK-ja e treta me vetëm 0.3 për qind më pak. Sipas kësaj, të dy partitë do të kenë nga 17 ulëse në Kuvend.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të jetë po ashtu pjesë e Kuvendit. Ajo pritet të marrë 6.8 për qind të votave, apo 8 deputetë.

Nisma Socialdemokrate, sipas projeksionit të KOHËS, nuk e ka kaluar pragun, pasi ka marrë më pak se 3 për qind të votave.

Disponueshmëria e votuesve është matur nga KOHA që ka kryer hulumtimin me 1076 qytetarë mes 9 dhe 12 shkurtit. Rezultatet e përgjithshme kanë margjinë gabimi deri në tre për qind.

Këtu nuk janë të përfshira votat nga diaspora, që mund të ndikojnë në rezultatin përfundimtar.

Të ngjashme