Qorrolli: Abdixhiku synon të marrë deputetët e listës së Vjosa Osmanit

Prishtinë | 20 Mar 2021 | 17:22 | Nga Ekonomia Online

Kërkesa e Lidhjes Demokratike të Kosovës për takim të radhës me Vjosa Osmanin si pretendente për presidente, sipas analistit politik Vigan Qorrolli, është tentativë për të ndarë deputetët e listës së Osmanit nga grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe bashkimin e tyre me LDK-në.

Të premten, kryetari i ri i LDK-së, Lumir Abdixhiku, mbajti takim me kryetarin e Vetëvendosjes Albin Kurti dhe pretendenten për presidente Vjosa Osmani. Pas takimit ai u shpreh se LDK-ja është opozitë dhe për të marrë vendim për seancën kur votohet presidentja, i duhet të shohë pozicionimet e Osmanit karshi LDK-së, VV-së, partive të tjera dhe për nismën e saj politike.

Këtë e ka përsëritur edhe pasi zgjodhi kryesinë e re të partisë, të shtunën.

E gjithë kjo, sipas Qorrolit, është vetëm synim për t’u bërë partia opozitare numër një në Kuvend.

“Synimet e kryetarit të ri të LDK-së, Abdixhiku, për negociata tête-à-tête (kokë me kokë) me pretendenten për presidente, Vjosa Osmani, e kanë një qëllim: ndarjen e deputetëve të saj me VV-në dhe bashkimin e deputetëve të Listës së saj me LDK-në në një grup parlamentar. Kësisoj LDK-ja do të arrinte edhe një fitore pa luftë: Opozita numër një në Kuvend, duke e tejkaluar me numra PDK-në me deputetë. Asgjë më pak, asgjë më shumë!” ka shkruar Qorrolli në Facebook.

Nga zgjedhjet e 14 shkurtit, LDK-ja siguroi 15 ulëse në Kuvend. Lëvizja Vetëvendosje me Osmanin në bashkëpunim siguruan 58 ulëse. Nga to, 7 janë pjesë e listës së Osmanit. PDK-ja ka 19 deputetë.

Pas humbjes, Isa Mustafa u dorëhoq nga kryesimi i LDK-së. Abdixhiku u zgjodh kryetar i ri.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme