Rrjeti për Përgjegjësi Shoqërore Korporative (CSR) në Kosovë bashkë me Zyrën e UNICEF-it organizuan tryezë diskutimi me drejtorë dhe pronarë të bizneseve e organizatave të shquara të Kosovës për të identifikuar dhe diskutuar idetë dhe mënyrat e investimit dhe mbështetjes së fëmijëve dhe rinisë nga sektori privat.
Kjo ngjarje u organizua pas nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet UNICEF-it dhe Rrjetit CSR Kosova në fillim të këtij muaji, ku këto dy organizata janë dakorduar të punojnë së bashku drejt identifikimit te Qëllimeve të Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDG) të caktuara nga Kombet e Bashkuara, për të bashkëpunuar drejt fuqizimit të rinisë së vendit dhe promovimit të vullnetarizmit në Kosovë.
Linda Tahiri-Rukiqi, drejtore Ekzekutive e Rrjetit CSR Kosova dhe njëherësh moderatore e kësaj tryeze, mirëpriti interesimin e të pranishmëve për të kontribuar në aktivitete të përgjegjshme ndaj shoqërisë. Ajo tha se shpreson që edhe kompani të tjera që veprojnë në Kosovë do të jenë të gatshme të përqafojnë idetë inovative dhe të përgjegjshme të cilat kontribuojnë në një zhvillim më të qëndrueshëm.
“Me fillimin e këtij bashkëpunimi, CSR Kosova është dakorduar të kontribuojë në misionin e UNICEF-it dhe së bashku të punohet për të rritur stabilitetin dhe prosperitetin në vend”, tha Tahiri-Rukiqi.
Kjo tryezë e rrumbullakët ishte mundësi për të dialoguar me drejtorë dhe pronarët e bizneseve për të identifikuar fushat potenciale të bashkëpunimit me sektorin privat drejt mbështetjes së misionit të UNICEF, dhe përdorimin e fuqisë së biznesit në të mirë të fëmijëve dhe të rinisë kosovare.
UNICEF: Rinia është pasuria më e madhe e Kosovës, shfrytëzojeni këtë mundësi
Shefi i Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Brandao Co, duke iu drejtuar të pranishmëve, tha se UNICEF-i është i përkushtuar të investojë në sektorin e rinisë në Kosovë, raporton Ekonomia Online.
“Për UNICEF-in, ka qenë shumë e rëndësishme dhe e vlerëson partneritetin me Rrjetin CRS Kosova. Kjo është mundësi që të eksplorojmë se si të investojmë në sistemin më të qëndrueshëm të Kosovës. Ky është vetëm fillimi… Të gjithë duhet të shikojmë sesi të ndikojmë në përmirësimin e jetës së fëmijëve dhe të grave”.
“Duam që kjo platformë t’i fuqizojë të rinjtë në Kosovë. Kosova ka popullsinë më të re në Evropë, mirëpo kjo nuk do të jetë gjithmonë kështu, sepse vendet e reja kanë punësim të madh dhe është koha e duhur që Kosova ta shfrytëzojë këtë, sepse kjo dritare e mundësive nuk do të zgjasë shumë”, tha Brandao Co.
“Është e rëndësishme të gjejmë se cili është hapi i radhës që të ndikojmë në stabilitetin dhe prosperitetin e Kosovës që të rritim ndikimin në energjinë e njerëzve të rinj në Kosovë”, shtoi ai.
Arian Zeka, zëvendëskryetar i Bordit të Rrjetit CSR Kosova, tha se për të rinjtë në vend duhet të bëhet më shumë. “Shumë prej atyre që janë brenda këtu bëjnë shumë në avancimin e të drejtave të fëmijëve në Kosovë. Kemi pasur projekte të ndryshme në fuqizimin e të drejtave të fëmijëve”, tha Zeka, i cili i ftoi kompanitë të kontribuojnë edhe më shumë në aktivitete të përgjegjshme ndaj shoqërisë, veçanërisht ndaj rinisë.
Zëvendësshefi i Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, James Mugaju, tha se rinia është pasuria më e madhe që Kosova ka.
“Është hera e parë në historinë e UNICEF-it që krijon këso hapësire për dialog me biznese. Qëllimi ynë është të bashkëbisedojmë me sektorin privat… Pasuria e Kosovës janë vetë njerëzit në Kosovë”, tha Mugaju.
“Kjo ngjarje ishte për të krijuar më shumë mundësi për dialog me shefa ekzekutivë të organizatave private në Kosovë. Patëm mundësinë të flasim me ta; ishte dialog i mirë dhe mësuam shumë bashkë se si duhet të investojmë më shumë në adoleshentët dhe të rinjtë. Hapi i radhës do të jetë takimi dhe biseda direkte me shefat ekzekutivë të kompanive që të mund të kemi një plan te ardhshëm te veprimit që t’i targetojmë fëmijët dhe familjet”, shtoi ai.
Linda Tahiri-Rukiqi, drejtoreshë ekzekutive e CSR Kosova, në fund të tryezës, dha përshtypjet e saj. Ajo tha për Ekonomia Online se në bashkëpunimi me UNICEF-in në Kosovë do të vazhdojë me synim krijimin e kushteve më të mira të të rinjve në vend.
Ajo inkurajoi që të përdoret fuqia e bizneseve private për përkrahjen e fëmijëve dhe rinisë. “Kjo tryezë e rrumbullakët ishte mundësi e mirë për neve që të dëgjojmë dhe pikëpamjet e pronarëve dhe të bizneseve që veprojnë në Kosovë dhe të identifikojmë fusha potenciale për t’i mbështetur misioni i UNICEF-it në Kosovë. Më erdhi shumë mirë që pati interesim për të kontribuar në përgjegjësi shoqërore në Kosovë”, përfundoi Tahiri-Rukiqi.