Unifikohen çmimet e barnave, Veseli e konsideron ditë historike

Prishtinë | 27 Maj 2019 | 12:06 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka nënshkruar Udhëzimin Administrativ për rregullimin dhe unifikimin e çmimit të barnave në nivel vendi, raporton Ekonomia Online.

Ismaili e quajti këtë krenari të dyfishtë duke thënë se ky udhëzim nuk do lejojë që më të blihen barna me çmime më të shtrenjta se që janë.

“Sot është një krenari e dyfishtë të jemi këtu sepse kjo është një reformë që e kemi pritur për shumë vite dhe më në fund po arrihet, një nevojë që ka qenë e kërkuar si nga farmacistët ashtu edhe qytetarët. Sektori i shëndetësisë ka qenë në një kaos të madh të cilin e kanë shkaktuar blerjet me çmime të larta, por edhe mungesa e legjislacionit në fuqi për ta rregulluar. Kjo ka gërryer besimin te institucionet tona publike prandaj ka qenë mëse e nevojshme që ne të bëjmë diçka. Kosova ka qenë i vetmi me Bjellorusinë në Evropë që nuk ka pasur sistem të rregullimit të barnave kështu duke lënë që paraja jonë të jetë pre e abuzimeve të ndryshme”, ka thënë Ismaili.

Ai tha se nuk do të lejojë që produkti që ka vlerën më të lirë të shitet në Kosovë me çmim më të shtrenjtë.

“Udhëzimi administrativ rregullon këtë pjesë. Nuk do lejoj që produkti që ka vlerën më të lirë të shitet në Kosovë me çmim më të shtrenjtë. Kemi pasur shembuj të barnave që janë blerë dy apo tri herë më shtrenjtë. Ky udhëzim me ligj do ta rregullojë që Kosova të mos blejë barna më e shtrenjta se që e kanë vlerën e tyre. Kjo do mbrojë miliona euro. Kemi arritur gjashtë milionë euro të kursejmë dhe të blejmë barna. Efekti tjetër është se do krijojë një sistem unik të barnave. Kjo është kërkesë 20 vjeçare. Sot barnatoret kanë çmime të ndryshme varësisht nga koha, lokacioni dhe kështu mungesa e këtij udhëzimi e ka ngritë kontrabandën duke e bërë pre tregun e barnave”, tha Ismaili.

“…Qytetari nuk do jetë pre e çmimeve të ndryshme, nuk do jetë pre e shpenzimeve më të larta. Xhepi i tyre do të ruhet. Janë 10 milionë euro që blejmë më shtrenjtë në barnatoret tona se qytetarët në Shqipëri e Maqedoni. Udhëzimi është i bërë në baza ndërkombëtare garanton transparencën, paranë publike dhe mundëson sistem unik”.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, tha se nënshkrimi i këtij Udhëzimi Administrativ mund të konsiderohet historike për Kosovën.

“Nuk ka asgjë më të mirë se me ju qenë afër njerëzve në nevojë. Mbi dhjetë milionë qytetarët të paguajnë më shumë për barna kjo është e arritur e madhe që mund të konsiderohet historike. Mund të bëjmë edhe shumë gjëra të mira kur jemi të vendosur dhe e kemi qëllimin e pastër. Po tregohet se kur ka vizion mund të kemi sukses. Do t’ia arrijmë këtij suksesi, askush nuk mundet me na ndalë, pengesa kemi me pasë…Ftoj OJQ-të dhe mediet të jenë të pakompromis në luftimin e çdo dukurie dhe do ta kenë përkrahjen tonë”, tha Veseli.

Arjanit Jakupi, kryetar i Odës së Farmacistëve, tha se përfituesit më të mëdhenj do të jenë pacientët të cilët tashmë nuk do të bien pre e kontrabandës me barna ilegale.

“Sektori farmaceutik ka shumë vite që përballet me sfida por një nga ato që ka ndikim është ajo që ka të bëjë me çmimin e barnave. Kjo ka sjellë në pozitë të rëndë farmacistët dhe qytetarët. Aktualisht çmimet në barnatore kanë diskrepancë të madhe nga barnatorja në barnatore. Ky udhëzim ka për qëllim rregullimin e produkteve medicinave. Zbatimi i udhëzimit do ulë çmimet, do ndikojë në shpenzimet efikase. Përfituesit më të mëdhenj do jenë pacientët që nuk do rrezikohen nga produktet ilegale”, tha ai, raporton EO.

Muhamet AliKodra nga PRAK tha se  ky udhëzim është i domosdoshëm për reformë në shëndetësi.

“Këtë gjendje e kemi sepse qeveritë nuk e kanë pasë prioritet shëndetësinë deri tash dhe pa vullnetin e saj është shumë vështirë të implementohet reforma. Ky udhëzim dëshmon se është bë një hap i madh, por nuk guxojmë të jemi shumë entuziastë”, tha ai.

Të ngjashme