Universiteti i Prizrenit, “Ukshin Hoti”, ka arritur marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin WSB të Polonisë.
Marrëveshja është nënshkruar të mërkurën nga u.d. rektorit të UPZ-së, Ismet Temaj dhe Profesor Zdzislawa Dacko-Pikiewicz, rektore e UWSB.
Marrëveshja përfshinë shkëmbimin e studentëve, stafit, materialeve shkencore dhe didaktike, organizimin e projekteve të përbashkëta edukative dhe hulumtuese, bashkëpunim në programet e Bashkimit Evropian dhe programe të tjera institucionale, programet verore dhe diploma të përbashkëta.
Bashkë me rektorin Temaj në Poloni po qëndrojnë edhe dekani i ekonomikut, Prof. Asoc. Dr. Halil Kukaj dhe profesori dhe anëtari i Këshillit Drejtues të UPZ-së Prof. Ass. Dr. Artan Nimani, i cili ka iniciuar bashkëpunimin në mes të dy institucioneve.
Rektori Temaj e vlerësoi lartë arritjen e kësaj marrëveshje e cila do t’i shërbejë interesave të dy institucioneve dhe do të përfitojnë studentët dhe stafi i UPZ-së.
Gjatë kësaj vizite ata po marrin pjesë në punimet e konferencës “3rd international staff week 8-11 Prill”, ku po marrin pjesë edhe universitete nga shumë vende të botës.
Qëllimi i konferencës është promovimi i idesë së internacionalizimit dhe forcimi i partneritetit ndërkombëtar. “Staff Week” do të mundësojë shkëmbimin e informacionit midis pjesëmarrësve në çështjet e menaxhimit të internacionalizimit të mobilitetit të studentëve me Erasmus +, organizimin e praktikave më të mira, përfitimet e studimit dhe përvojës jashtë vendit, mësimin e gjuhëve të huaja, mundësinë e krijimit të programeve të përbashkëta, etj..
Pjesëmarrësit në mënyrë aktive po marrin pjesë në diskutime dhe po kontribuojnë me prezantimet e tyre për tema të ndryshme duke shkëmbyer përvojat nga institucionet e tyre.