Zgjedhja e rektorit të Prizrenit po hetohet nga policia e Krimeve të Rënda

Prishtinë | 23 Maj 2018 | 15:08 | Nga

Departamenti i Krimeve të Rënda në Policinë e Kosovës i rajonit të Prizrenit është duke e hetuar procesin e djeshëm të zgjedhjes së rektorit të Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren. Policia ka konfirmuar për Insajderin inicimin e rastit, duke thënë se tashmë është caktuar edhe orari i intervistimit të të gjithë personave të përfshirë në këtë proces.

Në garën prej katër kandidatëve sa ishin në listën e ngushtë, me katër votash është zgjedhë rektor profesori i matematikës, Ismet Temaj. Por zgjedhja e tij u bë në raundin e dytë. Në konkurrencë ishin edhe Ramë Vataj, Bekim Berisha dhe Shkëlqim Millaku.

Gazeta Insajderi merr vesh se pas raundit të parë, kur edhe është parë orientimi i votave, atëherë kanë nisur të krijohen tensionet mes grupeve.

Pas raundit të parë, njëra palë ka kërkuar pushim, duke hasur në kundërshtimin e palës tjetër. Kjo bëri që ta lëshojnë sallën ata që kërkonin pauzën. Procesin e votimit për raundin e dytë e vazhdoi grupi tjetër.

Komisioni për zgjedhjen e rektorit përbëhej prej shtatë anëtarëve – tre nga Ministria e Arsimit dhe katër nga Universiteti.

Nga Ministria e Arsimit ishin Bedri Muhadri (kryesues), Isak Hoxha(zv.kryesues) dhe Parim Kosova (anëtar). Kurse nga Universiteti ishin Ragip Gjoshi (anëtar), Soner Yildirim (anëtar), Artan Nimani (anëtar) dhe Albana Milaimi (anëtar).

Megjithatë, aty nuk shkoi gjithçka në rregull, pasi u desh ndërhyrja edhe e policisë.

Rastin e ka konfirmuar për Insajderin edhe zëdhënësi i policisë për rajonin e Prizrenit, Hazir Berisha. Ai ka thënë se dje e kanë marrë një ankesë për procesin e votimit, ku thuhet se janë munguar materialet dhe vula e Universitetit.

“Për këtë e kemi pasur një ankesë – për mungesë të vulës së Universitetit. Kemi nisur hetim zyrtar për ‘Asgjësim të dokumenteve të votimit’, dhe po presim t’i intervistojmë të gjithë akterët që kanë qenë të përfshirë në këtë proces”, ka thënë zëdhënësi i policisë, Hazir Berisha.

Ai ka thënë se ende nuk e kanë intevistuar asnjë person, por është caktuar koha e intervistave për ata që kanë qenë të përfshirë në proces.

Në Universitetin “Ukshin Hoti” kanë shkuar edhe Njësiti i Krimteknikës i Policisë për t’i marrë pamjet nga kamerat e sigurisë.

“E kemi dërguar aty edhe Krimteknikën për t’i parë materialet edhe në kamera”, ka thënë Haziri.

Rasti ka shkuar në Drejtorinë e Krimeve të Rënda dhe është klasifikuar si “Asgjësim apo dëmtim të dokumenteve të votimit”.

Neni 220 i Kodit Penal flet për dëmtim apo asgjësim të dokumenteve të votimit i dënueshëm prej 3 deri në 5 vjet burgim.

Të ngjashme