Studentët dhe mësimdhënësit e Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë dhe ata të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, tash e tutje do të mund të shkëmbejnë përvojat e tyre për avancimin e tyre profesional. Kjo është mundësuar me nënshkrimin e një marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet këtyre dy universiteteve, nga rektori Alush Musaj dhe homologu i tij nga Shkupi, Azis Pollozhani.
Rektori Musaj, tha se Universiteti “Isa Boletini” është i ri, por Mitrovica ka një traditë të gjatë akademike. “Ne jemi të gatshëm që mundësitë dhe përvojën tonë ta vëmë në dispozicion të studentëve dhe mësimdhënësve të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup”, tha ai.
Ndërsa, rektori Pollozhani, tha se ata kanë nevojë për mbështetje meqë Universiteti “Nënë Tereza” ka vetëm disa muaj që është themeluar. “Kemi nevojë për mbështetje në të gjitha fushat, meqë ende jemi duke u përballur me sfidat e fillimit”, tha ai.
Pollozhani tha se Universiteti “Nënë Tereza”, njihet si një universitet i fushave teknike, prandaj bashkëpunimi me Universitetin “Isa Boletini”, është parë si një përparësi për shkak të natyrës së programeve që ofrojnë. “Ndjehemi shumë të kënaqur për gatishmërinë e drejtuesve të këtij Universiteti për bashkëpunim dhe për mbështetjen e ofruar”.
Në kuadër të marrëveshjes që u nënshkruar në Mitrovicë, ku rektori Pollozhani qëndroi në Mitrovicë së i shoqëruar me bashkëpunëtorët e tij, parashihet shkëmbimi i vizitave të stafit akademik dhe kërkimor, që kanë për qëllim promovimin e seminareve, kurseve, konferencave, përgatitjen e projekteve kërkimore etj. Poashtu parashihet qarkullimi i botimeve, materialeve akademike dhe informacioneve për fusha të caktuara studimore.
Një pikë e veçantë është ajo që ka të bëj me impenjimin e universiteteve për të mbështetur çdo student të universitetit partner për pjesëmarrje në leksionet e lëndëve dhe kurseve studimore që ofron. Studentët me autorizim të universitetit mund të zgjedhin një numër kursesh midis atyre që ofron universiteti pritës.