UP hap shkollën dimërore “Warm Up”

Prishtinë | 25 Shk 2026 | 14:30 | Nga Ekonomia Online

Universiteti i Prishtinës ka nisur sot Shkollën Dimërore “Warm UP”. Kjo shkollë dimërore u përkrah nga shteti i Luksemburgut, raporton Ekonomia Online.

Rektori i UP-së, Arben Hajrullahu para mediave foli për bashkëpunimin e tyre dhe procesi deri te ideja dhe finalizimi.

“Ky është një moment i shkëlqyer për të parë se si, në më pak se tre muaj, një ide kalon në realizim, në praktikë. Para më pak se tre muajsh pata një takim me ftesë nga profesori Gentrit Berisha dhe zëvendësrektorja Rozafa Basha. Gjatë pushimit të drekës hëngrëm një sanduiç dhe ata filluan të flisnin për këtë ide, ndërsa unë nisa të shkruaja në disa peceta fjalët kyçe të asaj për të cilën po flisnin. Në fund u thashë: “thjesht bëjeni”. Dhe ata e bënë, shpejt dhe në mënyrë shumë të përshtatshme, duke e realizuar këtë “Ëarm-up Ëinter School” në Universitetin e Prishtinës. Kjo është e mundur dhe po ndodh falë mbështetjes së miqve të universitetit, si ambasadori Ditz dhe shumë miq të tjerë, profesorë në Luksemburg, si dhe kontributit të profesorëve si profesori Jeremy Bridge, i cili është shumë i angazhuar në disa programe shkëmbimi dhe punon ngushtë me studentët e Universitetit të Prishtinës që ndjekin studimet master, e disa prej tyre tashmë kanë filluar edhe studimet e doktoratës, sa di unë, në Luksemburg, në fusha shumë interesante që lidhen me digjitalizimin dhe sigurinë e infrastrukturës kritike,  diçka shumë e orientuar drejt së ardhmes. Dhe e gjithë kjo është e mundur falë kontributit të të gjithë njerëzve që punojnë në universitet dhe, në këtë rast në veçanti, në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike (FIEK), dekanit Isak Shabani dhe të gjithë atyre që janë të përfshirë në këto aktivitete. Një nga shtyllat kryesore që unë dhe kolegët e mi po përpiqemi ta zhvillojmë më tej është transformimi digjital. Krahas asaj që unë e quaj mobilitet i brendshëm dhe mobilitet i jashtëm. Mobilitet i brendshëm në kuptimin e hapjes së njësive akademike dhe rritjes së bashkëpunimit mes tyre, dhe mobilitet i jashtëm për të forcuar ndërkombëtarizimin dhe shkëmbimin e profesorëve dhe studentëve në të dy drejtimet drejt Kosovës dhe nga Kosova”, tha ai.

Të ngjashme