UP-ja me ceremoni shënon 50-vjetorin – Dema: Zhvillimi i vendit lidhet me progresin e këtij institucioni

Prishtinë | 15 Shk 2020 | 11:33 | Nga Arlinda Sejdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” për nder të 50-vjetorit të themelimit ka organizuar ceremoni solemne, raporton Ekonomia Online.

Rektori i UP-së, Marjan Dema, tha se UP-ja gjatë misionit të saj përgjatë historisë është shndërruar në bërthamën e shtet-formimit dhe shtet-ndërtimit.

“Historia bashkëkohore e popullit të Kosovës dhe UP-së janë të ndërthurura në mënyrë të pandashme. Sot kur mbush 50 vjet, UP-ja krenohet që gjatë misionit të saj përgjatë një historie është shndërruar ne bërthamën e shtet-formimit dhe shtet-ndërtimit”.

“Sot UP-ja vazhdon të ketë rol prijës në lëvizjet shoqërore. UP-ja ka bërë hapa të rëndësishëm drejt ngritje se cilësisë. Mësimdhënia është përmirësuar. Shkala e lartë e punësimit e të diplomuarave dëshmon për përshtatjen e UP-së me nevojat e tregut”.

Dema tha se cilësia është vlera dalluese e UP-së, raporton EO.

“Aktualisht ky tempull ka mbi 36 mijë studentë. Cilësia është vlera dalluese, për këta kujdeset një trup akademik mbi 900 mësimdhënës. Zhvillimi i Kosovës lidhet ngushtë me progresin e UP-së”.

Mynur Koni, rektori i Universitetit të Tiranës tha se ky është një përvjetor i rëndësishëm, ngase sipas tij ky institucion është një tempull vetëdijes kombëtare.

“Përulem para studentëve dhe profesorëve që kanë rënë në altarin e rinisë. UP-ja në historinë e saj është më shumë se tempull i dijes, është një tempull vetëdijes kombëtare”.

“Mund të flasim për shumë marrëveshje bashkëpunimi. Si rektor deklaroj se në të ardhmen duhet të kemi më shumë bashkëpunime për studime”.

“Me shumë kërkime shkencore më shumë bashkëpunime në projekte, Shqipëria dhe Kosova shumë shpejt do jenë pjese e familjes evropiane”, tha ai.

Në ceremoninë ishin të pranishëm qeveritarë, rektorë universitetesh, përfaqësues të misioneve diplomatike, donatorë e partnerë të tjerë.

Kuvendi themelues i Universitetit të Prishtinës u mbajt më 13 shkurt 1970.

Më 15 shkurt 1970 u mbajt edhe mbledhja solemne e Kuvendit dhe data e 15 shkurtit u shpall Ditë e Universitetit të Prishtinës.

Të ngjashme