Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) ka publikuar analizën lidhur me menaxhimin e financave për pagesat që i bëhen stafit akademik në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.
Sipas kësaj analize, vetëm për vitin 2017-2018 janë shpenzuar mbi 2.3 milionë euro për honorare dhe rreth 1 milion euro për bashkëpunëtorë të jashtëm në Universitetin e Prishtinës.
Pjesë e prezantimit të kësaj analize ishte edhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, raporton EkonomiaOnline.
Ai tha se Universiteti duhet të jetë ai që merr iniciativa për ta ndryshuar gjendjen aty.
Sipas tij, norma e përcaktuar për mësimdhënës nuk është që t’u japë të tjerëve t’i kalojë ato, por që t’u jepet hapësirë që përveç angazhimit në universitet të merren edhe me hulumtime.
“Këto analiza të na shërbejnë në kuadër që institucionet kanë nevojë të përmirësohen. Unë konsideroj se edhe universiteti duhet ta ketë maksimalizimin e cilësisë. Duhet të mendojmë se pse është përcaktuar norma prej 6 orësh për mësimdhënës? Kuptimi dhe logjika nuk e ka që t’iu jepet mundësi të tjerëve të kenë mbi norma ekstreme, por e ka qëllimin që 6 orë të jenë mësimdhënie, e orët tjera hulumtim e shkencë. Në Kosovë duhet ta ketë këtë epitet patjetër Universiteti i Prishtinës”, tha ministri Bytyqi.
Sipas tij, menaxhmenti i Universitetit të Prishtinës duhet të bëjë përpjekje që t’i përdorin këto mundësi.
“Mendoj që jemi në një moment kur gjërat duhet të ndryshojnë në të gjitha institucionet. Secili person në pozitën që gjendet, të mendoj për më të mirën e institucionit. Nëse do të ekzistonte vullneti ne jemi të gatshëm që si ministri të mbështesim universitetin. Nëse kemi kësi iniciativa dhe kësi mundësi konsideroj që edhe këto analiza edhe këto të gjetura do të zvogëlohen e mbi të gjitha do të përfitojë Universiteti i Prishtinës,” shtoi Bytyqi.
Autori i analizës, Rron Gjinovci, tha se nga hulumtimet e mëhershme të ORCA-s është marrë vesh që 328 lëndë ligjërohen nga 303 asistent, e prej tyre vetëm 76 kanë të përfunduar masterin, raporton EO.
“328 lëndë ligjërohen prej 303 personave me titullin asistent. Prej tyre 76 kanë gradë shkencore të masterit dhe mbajnë ligjëratat këta njerëz arrijnë me u angazhu në këto pozita përmes sistemit të bashkëpunëtorëve të jashtëm dhe mbi normave. Për vitin 2017/2018 2.3 milionë euro për honorare shtesë dhe rreth 1 milionë euro për bashkëpunëtor të jashtëm. Shpenzimet më të mëdha janë bërë në Fakultetin e Mjekësisë se njëherësh ka edhe më së shumti staf,” tha Gjinovci.
Ai bënë të ditur se shpenzimet me të vogla të mbi normave i ka bërë Fakulteti i Sporteve ndërsa për bashkëpunëtorë të jashtëm është Fakulteti i Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës.
Gjinovci vlerëson se Kosova prej pasluftës për shkak të keq menaxhimit e ka humb mundësinë që me pas një universitet shumë më kualitativ se sa që është.
Ndërsa Ardiana Bunjaku, nga Këshilli Drejtues i Universitetit, prezantoi rekomandimet e tyre lidhur me gjendjen në Universitet.
Mungesa e stafit akademik, administrativ, mungesa e planifikimit të stafit, e vlerësimit të përformanncës janë vetëm disa nga problemet në universitet.
“Ka mungesë të stafit akademik, por edhe ai që është nuk është i disponueshëm, të respekthohen kontratat e punës. Përveç që kemi mbi norma, ligji i ka leju që të angazhohen edhe jashtë UP-së. Nuk ka planifikim individual vjetor të stafit, mungon një vlerësim i performancës, të përfillet performanca paraprake, numri i lëndëve për normën e profesorëve i cili është i madh. Një profesor për ta plotësu këtë normë prej 6 orësh i jep tri lëndë,” shprehet Bunjaku.