Uran Ismaili thotë se në rastin “Spitali” ishte involvuar Komuna e Prishtinës

Prishtinë | 29 Maj 2019 | 10:57 | Nga Halide Rexhepi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Shëndetësisë, njëherësh nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Uran Ismaili, në një konferencë për medie, ka paraqitur dëshmi për involvimin e Komunës së Prishtinës (kur drejtohetj nga LDK-ja) në rastin e fajdesë të njohur si “Spitali”, raporton Ekonomia Online.  

Ismaili tha se pas etiketimit të kreut të PDK-së, Kadri Veseli si i involvuar në këtë aferë të madhe të mashtrimit ka bërë që ai të bëjë kallëzim penal ndaj personave që shihen në një video teksa flasin për ndërtimin e një spitali privat për të cilinë kërkohet edhe fajde.

Ai ka prezantuar kronologjinë e krimit të organizuar që sipas tij, ka filluar më 2003 kur kryetar i Prishtinës që e dha lejen e parë ishte Ismet Beqiri, ndërsa atë e ka përfunduar kryeministri i LDK-së Isa Mustafa në vitin 2015.

Ismaili ka kërkuar nga institucionet e drejtësisë zbardhjen sa më të shpejtë të kësaj afere në mënyrë që përgjegjësit të dalin para drejtësisë.

“Kryetari Veseli ka bërë kallëzim penal dhe ka kërkuar nga organet e drejtësisë që të kryejnë punën e tyre”.

“Edhe sot kërkojmë të reagoni sa më shpejt të zbulohet dhe sa më parë krimi i mashtrimit, por edhe krimi i mbulimit të këtij rasti dhe lënia e krimit në qetësi”.

“Ajo çfarë ne kemi parë veç një skenë të një skenari korruptiv”.

Fjalimi i plotë i Uran Ismailit:

Siç e dini, javën e kaluar janë publikuar video, ku qartësisht shihen disa persona – pjesë e një grupi kriminal – të cilët janë incizuar duke kryer vepra penale, të dënueshme sipas ligjit.

Këta mashtrues shihen duke keqpërdorur edhe emrin e Kryetarit Kadri Veseli dhe duke manipuluar në mënyrë të ulët për përfitime personale.

Kryetari Veseli përpos denoncimit publik, ka bërë edhe kallëzim penal ndaj tyre, si dhe ka kërkuar nga organet e drejtësisë që të veprojnë dhe ta kryejnë detyrën e tyre.

Sot, jemi këtu, që prapë të theksojmë se Partia Demokratike e Kosovës kërkon nga organet e rendit dhe ligjit që të reagojnë sa më shpejtë ndaj asaj që shihet qartazi se është krim dhe korrupsion.

Duhet të zbulohet dhe dënohet, sa më parë, krimi të cilin e kemi parë të gjithë në videot e publikuara: krimi i mashtrimit, krimi i korrupsionit, por edhe krimi i mbulimit të këtij rasti dhe lënia e kriminelëve në liri.

Të gjitha këto janë të rëndësishme që të hetohen, zbulohen dhe dënohen, në mënyrë që lufta jonë kundër krimit dhe korrupsionit të ketë rezultate, e jo fjalë.

Ajo çfarë ne dhe të gjithë qytetarët kanë parë në këto video – është veç një skenë e një skenari më të madh korruptiv, e që ka të bëjë me ndërtimin dhe licencimin e një spitali privat në Prishtinë.

Në mënyrë që të kemi transparencë sa më të madhe, për të ndikuar në zbulimin e këtij skenari korruptiv, si dhe për ta ndriçuar edhe më shumë këtë rast, gjithmonë në funksion të së vërtetës dhe luftës kundër krimit e korrupsionit, do të paraqesim këtu si provë edhe dokumentet zyrtare – të cilat dëshmojnë pa mëdyshje ekzistencën e një skeme korruptive. 

“Afera Spitali” është një proces i gjatë, i cili ka filluar në vitin 2003, kur edhe është caktuar lokacioni për ndërtimin e këtij spitali privat në Prishtinë – për të cilin edhe janë bërë mashtrimet që kemi parë në video.

Leja është dhënë nga Komuna e Prishtinës dhe është nënshkruar nga Kryetari i saj, që asokohe ishte Ismet Beqiri nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Më pastaj, në vitin 2005 është ndryshuar lokacioni duke ju dhënë në shfrytëzim prona në kampusin e QKUK-së nëpërmjet një marrëveshje të nënshkruar nga Sami Hamiti, në atë kryeshef ekzekutiv i Komunës së Prishtinës.

Në vitin 2006, Komuna e jep lejen urbanistike dhe në vitin 2007 aktvendimin për fillimin e ndërtimit të spitalit privat në kompleksin e QKUK-së.

Partia Demokratike e Kosovës, në këtë kohë, përmes Kuvendit Komunal në Prishtinë, kishte kundërshtuar ashpër këtë vendim, duke konsideruar se po lejohej veprimi i një spitali privat në afërsi të QKUK-së dhe kështu po dëmtohej institucioni më i rëndësishëm shëndetësor në Kosovë.

 Edhe përkundër këtij kundërshtimi, Komuna e Prishtinës dha pëlqimin e saj që ky spital të fillonte të ndërtohej.

Ky vendim konsiderohej i gabuar edhe nga punëtorët shëndetësorë dhe pas protestave të tyre, në vitin 2007, Kryeministri i atëhershëm Agim Çeku kishte marrë vendim që të pushonin punimet e këtij spitali dhe kishte kërkuar nga Komuna e Prishtinës që ta ndryshonte vendimin.

Në vitin 2008, disa ditë para ndërrimit të Qeverisë, është bërë edhe përpjekja e fundit nga LDK, duke vendosur që të mbetet në fuqi vendimi i nënshkruar nga Ismet Beqiri dhe duke i dhënë mundësi krijimit të “Aferës Spitali” dhe anashkalimit të vendimit të kryeministrit të atëhershëm Agim Çeku.

Nga viti 2008 deri në vitin 2014, edhe pse janë bërë përpjekje të vazhdueshme për ta licencuar këtë spital, Partia Demokratike e Kosovës, e cila ka udhëhequr Qeverinë, ka refuzuar licencimin e këtij spitali, sepse ka qenë në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.

Licencimi i këtij spitali do të rishfaqet në vitin 2015, kur drejtimin e Qeverisë së Kosovës e merr LDK, me Kryeministër Isa Mustafën.

 Legjislacioni në fuqi në atë kohë theksonte qartë se objektet spitalore private duhet të jenë në largësi së paku 1.5 kilometra nga spitalet publike.

Por në vitin 2015 ndryshohet legjislacioni, dhe largohet ky kritere, duke dhënë mundësinë që njëherë e përgjithmonë të vendoset spitali privat në oborrin e QKUK-së, projekt i nisur në Komunën e Prishtinës, në vitin 2003.

Fakti se leja dhe licencimi për këtë spital nuk janë dhënë në periudhën kur PDK ishte në pushtet, e tregon më së miri distancimin dhe kundërshtimin që PDK  ka pasur prej fillimit deri në fund në “Aferën Spitali”, sepse siç e thamë, ndërtimi i këtij spitali ishte në kundërshtim me ligjin.

Përpos kësaj, PDK, përmes Xhavit Halitit, ka denoncuar në Policinë e Kosovës personat e kësaj skeme të mashtrimit, qysh në vitin 2014.

Sot, derisa ne po shohim vetëm një pjesë të një skenari të nisur shumë vjet më parë, është e rëndësishme të kuptohet në tërësi “Afera Spitali”, në mënyrë që krimi të zbulohet në tërësi.

Të nderuara media, të gjitha vendimet që janë marrë lidhur me këtë spital, prej Komunës së Prishtinës me Kryetar Ismet Beqirin, e deri te vendimet e Kryeministrave Agim Çeku dhe Hashim Thaçi që ishin “kundër” dhe Isa Mustafa që ishte “për”, mund t’i merrni këtu.

 Janë dokumente zyrtare dhe mund t’ju qaseni, në mënyrë që të hulumtohet ky rast në tërësi dhe që opinionit t’i paraqitet fotografia  e plotë të “Aferës Spitali”.

Sot, jemi këtu, që theksojmë prapë se Partia Demokratike e Kosovës kërkon nga organet e rendit dhe ligjit që të reagojnë sa më shpejtë ndaj asaj që shihet qartazi se është krim dhe korrupsion dhe kushdo që është i lidhur me këtë skemë kriminale të dokumentuar edhe në video duhet të dalë para drejtësisë dhe ky veprim duhet të jetë i shpejtë e i vendosur.

Nënshkrimi i kontratës dhe marrja e lejes për ndërtimin e një spitali në hapësirat e QKUK-së, dyshohet se ka përfshirë në fajde, mashtrim dhe detyrim, një grup prej së paku 8 personash.

Para disa ditë u publikua një video ku shiheshin disa persona tek sa flasin për shuma të mëdha parash që biznesmeni Faton Dalladaku thotë se i dha për t’u ndërtuar spitali privat.

Teksa flasin për Rrahim Hashimin, si personi që do t’i ndihmonte Dalladakut për ta ndërtuar spitalin, ky i fundit, për këtë, përmend edhe emrin e Kadri Veselit.

Personi tjetër në këtë video është Kadri Rexhepi, që duket se luan rolin e ndërmjetësuesit mes Rrahim Hashimit e Faton Dalladakut.

Policia ka arrestuar 5 persona: Rrahim Hashimin, Ismet Osmanin, i njohur si “Curri”, Ilir Bojkun, Mentor Maqanin dhe Adil Thaqin, nën dyshimin për fajde, detyrim dhe mashtrim.

Gjykata Themelore e Prishtinës ka refuzuar kërkesën për një muaj paraburgim për Rrahim Hashimin, ndërkaq 4 të tjerëve u janë caktuar 30 ditë paraburgim.

https://www.facebook.com/EkonomiaOnline/videos/1082942641897994/

Të ngjashme