Ja! Kaq e kishte Shqipëria dhe ia bëri gropën vetes! Dhe befas marrin një nënqeshje perverse në fytyre. Sikur një dështim i ri i Shqipërisë (a thua se vendi ynë ka pasur pak të tillë) e shkreh epshin e tyre të ndrydhur. Pastaj të tundin kokën për të të siguruar mbi kotësinë e çdo nisme dhe e mbyllin me fjalët se ky vend nuk bëhet!
Nuk po flas këtu për njerëz që përfshihen rreth një mesymje agresive kundër zhvillimit të turizmit shqiptar sepse financohen nga agjensi vendase dhe të huaja. Nuk flas këtu për analistë që vjellin vrerin e mbledhur prej vitesh dhe i shërbejnë kauzave të ndryshme politike që e duan Shqipërinë të veçuar, nëpërkëmbur dhe jashtë vëmendjes botërore.
Dua të flas për gjitha ata shpirtliq që nuk u qeshi buza njëherë kur Shqipëria është mirë. Që kanë për të bërë qimen-tra dhe kanë për të të folur vetëm për faqen e zezë të vendit. Që nuk e përtypin dot që dikush po e vlerëson atë që ata e kanë përçmuar gjithmonë. Që nuk mund të bashkërendisin ecurinë e tyre në jetë me hapat përpara që po hedh shoqëria shqiptare.
Njerëz shpirtngushtë, që nuk rreshtin të shajnë, të urrejnë dhe të përbuzin gjithçka. Bashkë me të tjerë që u mbajnë iso duke besuar se kështu mund të ngushëllojnë veten që kanë zgjedhur një jetë larg Shqipërisë. Ose që kanë zgjedhur mos ecin dorë për dore me vendin por për ta patur atë gjithmonë përballë. Si armiq të përbetuar.
Pa diskutim që turizmi shqiptar ka të meta. Natyrisht që ka mangësi dhe shumë amatorizëm. Por që Shqipëria tashmë ka ndezur motorët, ky është një fakt. Që vendi nuk po bën pjesë në kronikat e zeza të lajmeve ndërkombëtare është mëse e vërtetë.
Shqipëria është një vend i vogël që sapo ka hapur krahët. Një vend i virgjër për shumë turistë, i pashkelur më parë dhe me një bukuri marramendëse. Një ndër elementet më të bukura që ka Shqipëria, jemi ne, shqiptarët. Njerëzit punëtorë dhe mikpritës që na bëjnë të rrimë ballëhapur ndaj vizitorëve.
Kur shahet Shqipëria aq lehtësisht duhet menduar se sabotohet ose nxihet e ardhmja e atyre njerëzve që kanë vendosur të qëndrojnë atje dhe të sigurojnë bukën e gojës.
Kur shahet Shqipëria ose bëhet politikë e rreme për të duhet menduar se shkurtohen vende pune, ulen paga dhe mbyllen biznese.
Shqipëria nuk është një nocion i përgjithshëm. Shqipëria jemi të gjithë ne, brenda dhe jashtë vendit, që përfshihemi në identitetin e saj, të gjuhës, kulturës dhe traditës.
Është detyrë e gjithsecilit të mbajë zemrën hapur dhe gojën mbyllur. Të mbyllë tek tuk edhe ndonjë sy tek të metat e panumërta që hasim përditë.
Nëse nuk i bëjmë pushimet në Shqipëri, mund të përzgjedhim destinacione pafund. Por në fund të fundit të ndalim baltosjen. Është diçka e pështirë që nuk i ka hije shqiptarit.
Shqipëria mbi të gjitha!