UShAF emërtoi amfiteatrin me emrin e humanistit dhe patriotit Hyzri Beqiri – Varoshi

Prishtinë | 28 Dhj 2017 | 10:56 | Nga

Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF) ka emërtuar Amfiteatrin e Madh me emrin e humanistit dhe patriotit Hyzri Beqiri – Varoshi.

Duke pasur parasysh veprat, humanizmin dhe sakrificën që bëri Hyzri Beqiri – Varoshi për arsimimin e të rinjve të Ferizajt, Këshilli Drejtues i UShAF me propozim të rektorit, Prof. Dr. Agron Bajraktari, mori Vendim që Amfiteatri i Madh i Universitetit të mbajë këtë emër.

Rektori Bajraktari para të pranishmëve, shpalosi historikun e rrugëtimit të institucionit tonë që nga themelimi si Qendër e Shkollimit të Lartë e deri më sot si Universitet i Shkencave të Aplikuara.

Rektori Bajraktari theks të veçantë i vuri periudhës së institucionit kur veprimtarinë e zhvilloi në objekte private, e posaçërisht në shtëpinë e humanistit Hyzri Beqiri – Varoshi. Po ashtu, ai theksoi se, edhe përkundër sfidave të shumta, ky institucion mbijetoi dhe sot gjendemi në këtë Universitet modern dhe unik në Kosovë.

“Sot është ditë e veçantë, sepse po përkujtojmë një humanist, vizionar, njeri të sakrificave, i cili u përballë me vështirësi të shumta, por që ideali i tij e arriti qëllimin. Ai ishte njeri i madh, i cili e vuri në sprovë të madhe familjen, si dhe tërë pasurinë e tij e vuri në shërbim të popullit.­ Po ashtu, në momentet më të vështira ndihmoi me ushqim dhe veshmbathje studentët, si dhe popullatën skamnore”, tha Rektori.

Ndërsa, kryetari i komunës së Ferizajt, z. Agim Aliu, falënderoi UShAF për organizimin e këtij evenimenti të rëndësishëm duke bërë përshkrimin kronologjik të sfidave të popullit shqiptar. Njëkohësisht, uroi rektorin Bajraktari për cilësinë dhe të arriturat e UShAF.

Isak Jashari, drejtor në atë kohë, foli për disa ngjarje dhe sfida me të cilat ishin përballë me pushtetin serb.

Hidajete Beqiri falënderoi rektorin për këtë mirënjohje për bashkëshortin dhe tha se ndiehet e kënaqur që bashkëshorti i saj i ndjerë po përkujtohet për veprat dhe aktivitetet, të cilat i kishte bërë në kohën më të vështirë të popullit shqiptar.

Ndërsa, mbesa e Hyzriut, Toska Nimani, foli për gjyshin e saj dhe për atë se sa të nderuar ndihen si familje për këtë vendim të Universitetit. Ndërsa, nipi Edi Nimani performoi një pikë muzikore në piano.

Shpalosjen e pllakës së emërtimit të Amfiteatrit me emrin e Hyzri Beqiri – Varoshi, e bënë së bashku rektori, z. Agron Bajraktari, kryetari, z. Agim Aliu dhe bashkëshortja e Hyzriut, znj. Hidajete Beqiri.

Po ashtu, pjesëmarrësit patën rastin që të vizitojnë ekspozitën e punimeve të studentëve të Arkitekturës së Interierit dhe Dizajnit të Mobileve, ndërsa u shërbyen me pije dhe ushime të përgatitura nga studentët e Hotelerisë dhe Turizmit dhe u shoqëruan me muzikë nga grupi “Fortuna”.

Pjesëmarrës në këtë eveniment ishin edhe deputetë të Kuvendit të Kosovës, kryetarë të komunave të Kosovës, përfaqësues të bashkësive fetare, udhëheqës të institucioneve të arsimit dhe qytetarë të Ferizajt.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme