Për më shumë se gjysmën e pronave të saj Ministria e Mbrojtjes nuk është pronare me letra.
Sipas të dhënave zyrtare, Ministria e Mbrojtjes duhet të ketë në pronësi 1391 objekte në të gjithë territorin e vendit. Nga këto ministria administron 1269 objekte, ndërsa 122 të tjera janë tjetërsuar.Por ministria e Mbrojtjes nuk disponon certifikatë pronësie për të gjitha pronat që administron. Ministria i është drejtuar zyrave të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në të gjithë vendin për të marrë certifikatën e pronësisë për 1235 prona.
Nga këto, zyrat e regjistrimit kanë lëshuar certifikatë pronësie vetëm për 603 prej tyre. Ndërsa pjesa tjetër janë proces me problematika nga më të ndryshmet, që nga mungesa e dokumentacionit e deri te pretendimet e palëve të treta mbi pronësinë e objekteve ushtarake.
Top Channel ka mësuar se edhe rasti i repartit ushtarak në Spille, i trajtuar në edicionet tona informative, është një nga dosjet për të cilat Ministria e Mbrojtjes nuk ka marrë përgjigje nga Zyra e Regjistrimit të pasurive të Kavajës për shkak të manipulimeve që bëheshin për tjetërsimin e pronësisë.
Për dy vite me radhë është kërkuar zyrtarisht shpjegim për regjistrimin e tokës së repartit të poligonit në Rreth Greth. Ndërkohë, me urdhër të Prokurorisë janë arrestuar disa ish-zyrtarë të hipotekës.