Ushtria siriane merr nën kontroll një qytet strategjik

Prishtinë | 29 Jan 2020 | 13:57 | Nga Ekonomia Online

Ushtria siriane ka thënë se e ka marrë përsëri nën kontroll qytetin strategjik, Maarat al-Numan, në provincën e Idlib-it. Ky ishte njëherazi bastioni i fundit i opozitës.

Mediet shtetërore raportuan se trupat e kanë çliruar qytetin pasi iu shkaktuan humbje të mëdha luftëtarëve xhihadistë.

Sidoqoftë, një grup monitorues tha më herët se opozita është tërhequr vetë nga ky qytet, shkruan “BBC”.

Maarat al-Numan shtrihen pranë një autostrade të rëndësishme, e cila ka qenë objektiv i ushtrisë në kohën kur po e zgjeron territorin që e ka nën kontroll.

Qindra mijëra civilë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, janë zhvendosur për shkak të luftimeve dhe janë nisur drejt kufirit me Turqinë, ku po qëndrojnë në kampe me kushte të vështira për jetesë.

Ushtria siriane tha se e mori kontrollin në këtë qytet pas luftimeve të ashpra kundër grupit Hayat Tahrir al-Sham, i cili mbizotëron në territoret e kontrolluara nga opozita.

Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut raportoi se forcat e opozitës janë tërhequr nga qyteti Maarat al-Numan të martën dhe se forcat qeveritare i kanë marrë nën kontroll 25 qyteza dhe fshatra me përkrahjen e sulmeve ajrore ruse.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme