Përfundon ushtrimi i përbashkët “Shpata e Argjendtë”

Prishtinë | 27 Pri 2018 | 18:39 | Nga

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), KFOR-i dhe Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave, Policia e Kosovës, sot pas demonstrimit të aktiviteteve përfundimtare, përfunduan me sukses Ushtrimin fushor ,,Shpata e Argjendtë 18’’, në kazermën e Regjimentit të Mbrojtjes Civile (RMC) të Brigadës për Mbështetje Operacionale (BMO) të FSK-së ,,Evropianët e Rinj’’ të Pomozotin.

Në ditën e vizitorë në këtë ushtrim, për të përcjell demonstrimet përfundimtare të pranishëm ishin; Ministri i FSK-së, Rrustem Berisha, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, komandanti i KFOR-it, gjeneral major Salvatore Cuoci, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, drejtori i këshillit të Sigurisë Kombëtare, Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave, si dhe gjeneralë e oficerë të lartë të FSK-së, KFOR-it, EULEX-it dhe Policisë së Kosovës.

Me këtë rast, komandanti i Forcave Tokësore të FSK-së, gjeneral brigade Enver Cikaqi pasi përgëzoi  të gjitha institucionet dhe agjencitë që planifikuan dhe ekzekutuan ushtrimin e përbashkët ,,Shpata e Argjendtë 2018’’ tha se ky ushtrim ka hy në kalendarin e ushtrimeve të FSK-së duke rikujtuar fillimet e zhvillimit të këtij ushtrimi kur FSK-ja ka qenë pjesërisht e angazhuar.

,,Ku ushtrim rrit ndërveprueshmërinë e FSK-së me institucionet dhe agjencitë tjera, duke i njohur më mirë procedurat e njëra tjetrës. Gjithashtu, u jep mundësi pjesëtarëve të FSK-së që duke punuar krah për krah me kolegët e tyre nga KFOR-i, institucionet dhe agjencitë tjera, të shkëmbejnë përvojat dhe të operojnë në ambient shumëkombësh’’.

Nga ana e tij, komandanti i KFOR-it, gjeneral major Salvatore Cuoci tha se qëllimi kryesor i këtij ushtrimi është që Forca e Sigurisë së Kosovës të trajnohet së bashku me EULEX-in, Këshillin e Sigurisë Kombëtare, Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave, Policinë e Kosovës në komandim, kontroll dhe çështje të koordinimit që kanë të bëjnë me planifikim dhe ekzekutim të operacioneve në reagim ndaj fatkeqësive në Kosovë në përgjithësi dhe skenarë me trazira civile në kuadër të konceptit të reaguesit të parë, dytë dhe të tretë.

,,Qëllimi tjetër i ushtrimit është të demonstrojë që organizatat e sigurisë së Kosovës, në shkallë të gjerë janë duke përmirësuar në mënyrë të qëndrueshme aftësitë e tyre, dhe janë duke bërë përpjekje për përmirësimin e taktikave, teknikave dhe procedurave të përbashkëta për punë të efektshme së bashku dhe në përmbushjen e roleve respektive’’.

Të gjithë të pranishmit patën mundësinë të përcjellin nga afër operacionet e ekzekutuara me sukses nga institucionet dhe agjencitë e sigurisë dhe emergjencave në Kosovë.

Ushtrimi i përbashkët fushor ,,Shpata e Argjendtë 2018, është një ushtrim i bazuar në Planin e Reagimit Kombëtarë me anë të cilit testohen kapacitetet intervenuese të reaguesve të parë, dytë dhe të tretë.

Ushtrimi “Shpata e Argjendtë 2018’’, është tregues i mirë i bashkëpunimit të FSK-së me institucionet dhe agjencitë e tjera në Kosovë, thuhet në një komunikatë të kësaj force.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme