Uzurpoj paligjshëm pronën e paluajtshme, ngritët aktakuzë për gjilanasin

Prishtinë | 16 Jan 2019 | 14:24 | Nga Ekonomia Online

Departamenti i Përgjithshëm, në Prokurorinë Themelore në Gjilan, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit M.A., për shkak të veprës penale ‘’Uzurpimi i paligjshëm i pronës së paluajtshme’’ nga neni 332 paragrafi 1 lidhur me nenin 81 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Sipas aktakuzës, që nga viti 1999, e deri më sot, në Gjilan, i pandehuri M.A., në mënyrë të vazhdueshme dhe të kundërligjshme ka uzurpuar pronën e paluajtshme të personit tjetër, banesën në sipërfaqe prej 59.65 m2, pronë e të dëmtuarit S.C., në atë mënyrë që pa asnjë dokument pronësie, pa lejen dhe pëlqimin e të dëmtuarit ka hyrë në banesën e tij, të cilën e shfrytëzon edhe tani pa asnjë bazë ligjore.

Gjendja faktike, përpos tjerash është vërtetuar edhe nga vendimi mbi ndarjen e banesës në shfrytëzim, si dhe gjatë intervistimit edhe vet i pandehuri e ka pranuar se në atë banesë është vendosur që nga viti 1999, me të cilat prova vërtetohet koha, vendi dhe mënyra e kryerjes së veprës penale.

Prokuroria me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që të pandehurin menjëherë t’a obligojë që t’a liroj pronën e uzurpuar dhe të njëjtën t’ia kthejë pronarit të ligjshëm, në gjendje të mëparshme.

Gjithashtu, prokuroria ka propozuar që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të njëjtit t’i shqiptohet dënimi i merituar sipas Ligjit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme