Një vaksinë e mundshme ndaj pandemisë së COVID-19, edhe në rast se gjendet, mund të mos e ketë ndikimin e dëshiruar te personat e moshuar, të cilët janë më të rrezikuarit që të sëmuren rëndë dhe të vdesin nga sëmundja, gjë kjo që mund ta nënkuptojë imunizimin e të tjerëve përreth tyre, siç janë fëmijët, kanë bërë të ditur shkencëtarët.
Profesori Peter Openshaw, nga “Imperial” që është një prej anëtarëve të nëngrupit këshillimor shkencor britanik “Nervtag”, ka thënë të martën para Komitetit të Dhomës së Lordëve për Shkencë dhe Teknologji se gjatë kësaj jave do të shqyrtohen grupet e ndryshme të caktuara të popullatës për vaksinim.
“Nganjëherë është e mundur që të mbrohet një grup i rrezikuar, duke e synuar një grup tjetër dhe kjo gjë, për shembull, është duke u bërë edhe me gripin”, ka thënë ai. “Gjatë viteve të kaluara, Mbretëria e Bashkuar ka qenë në ballë të lehtësimit të vaksinimit për fëmijët”.
Vaksinimi kundër gripit që jepet në hundë me anë të spërkatjes për fëmijët, të cilët jo gjithherë sëmuren rëndë nga gripit, i mbron gjyshërit e tyre, ka thënë ai. Ekipet shëndetësore dhe të imunizimit – të cilët janë mbase të parët që do të marrin – do të ndihmojnë po ashtu në mbrojtjen e të moshuarve, të cilët kanë më së shumti kontakt me ta.
Imuniteti
Arne Akbar, profesor i imunologjisë në Universitetin Global të Londrës UCL dhe kryetar i Shoqatës britanike të Imunologjisë, ka thënë se shkencëtarët duhet të vazhdojnë punën për të kuptuar se çfarë nuk funksionon si duhet me sistemin imunitar, kur personat plaken.
“Një gjë që është më se e qartë, madje edhe te të moshuarit e shëndetshëm, është se ka më shumë inflamacion në të gjithë trupin. Duhet të kuptojmë se prej nga buron ky inflamacion”, ka thënë ai. “Dhe ky inflamacion fillestar te personat e moshuar është i lidhur me dobësimin e imunitetit dhe shumë pasoja të tjera negative që ndodhin gjatë plakjes. Dhe të gjitha këto duket se përkeqësohen, kur prekemi rëndë nga infeksionet, sikurse me COVID-19”, ka thënë ai.
“Por cili është burimi i inflamacionit, në radhë të parë? Kjo është një gjë me të cilën duhet përnjëmend të merremi seriozisht”, ka shtuar ai.
Akbar ka thënë se edhe diçka tjetër krahas vaksinës mund të jetë e nevojshme për personat e moshuar, sikurse ilaçi steroid deksametasoni, i cili mund të bllokojë inflamacionin e shkaktuar nga virusi dhe që është treguar se mund të shpëtojë jetët e pacientëve me COVID-19.
“Pra, për njerëzit e moshuar, duhet të përdoret edhe ndonjë ilaç antiinflamator, siç është mbase deksametasoni, shoqëruar me vaksinën në mënyrë që të gjenerohet përfitimi maksimal”. ka thënë ai.
“Vetëm vaksina do t’i ndihmojë të rinjtë dhe kjo do të jetë një gjë e mirë, sepse nëse të rinjtë nuk infektohen, ata nuk do ta përhapin virusin te më të moshuarit. Por kjo gjë nuk do të ndihmojë aq shumë drejtpërsëdrejti grupin e më të moshuarve, ngase ata janë shtresa që po përballet aktualisht me simptomat më të rënda të sëmundjes”.
Komiteti i mblodhi këto dëshmi, teksa Universiteti i Oksfordit ka njoftuar për kryerjen e suksesshme të testeve për dy doza të vaksinës së saj kandidate te derrat, kafshë këto që përgjigjen ndaj trajtimeve në mënyrë shumë të ngjashme me njerëzit. Instituti Pirbright, duke bashkëpunuar me shkencëtarët e vaksinave, ka konstatuar se dy dozat kanë rezultuar me krijimin e një numri të konsiderueshëm të antitrupave gjatë përgjigjes së trupit ndaj një doze.
“Ende megjithatë, nuk dihet se çfarë niveli i imunitetit do të nevojitet për mbrojtjen e njerëzve kundër virusit Sars-CoV-2. Testet mbi efikasitetin e vaksinës janë duke u kryer te njerëzit, dhe nëse efikasiteti rezulton të jetë më i ulët se sa shpresohej pas një doze të vetme, atëherë është me rëndësi që të dihet nëse dy doza mund të rezultojnë me reagim më të madh imunitar, i cili më pas do të mund të ofrojë mbrojtje më të madhe”, thuhet në një deklaratë të Institutit.
Efikasiteti i vaksinës
Sarah Gilbert, profesoreshë e vaksinologjisë në Universitetin e Oksfordit, e cila është duke e drejtuar kërkimin studimor të Universitetit për vaksinën kundër COVID-19, ka bërë të ditur para Komitetit të Dhomës së Lordëve se asnjëra prej 140 vaksinat në zhvillim nuk ka të ngjarë të jetë e përkryer, por ka shtuar se një vaksinë e dobishme nuk duhet të jetë 100 për qind efektive.
“Edhe me saktësi prej 50 për qind, ne në fakt mund të shënojmë bukur shumë përparim në mbrojtjen e popullatës. Andaj, jemi optimistë se do të kemi diçka të tillë, dhe në rast se është nevoja, mund t’i kombinojmë vaksinat për të siguruar diçka që funksionon edhe më mirë”, ka thënë ajo.
Derisa numri i personave të infektuar me koronavirus është duke rënë në Angli dhe në pjesën tjetër të Britanisë së Madhe, testimi i vaksinave në këtë vend po bëhet përherë më i vështirë, andaj ajo dhe kolegët e saj kanë filluar një testim në Brazil, ku numri i të infektuarve është i lartë. Ndërsa do t’i fillojë testimet e tilla edhe në Afrikën e Jugut.
“Astra Zeneca”, nën emrin e të cilit është licencuar vaksina, është duke e filluar një operacion testimi me 30.000 njerëz në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka thënë ajo.
Shenja e parë që do të tregojë se një vaksinë është efikase do t’i ndihmonte studiuesit në të gjithë botën, ka thënë ajo.
“Sapo ta marrim një sinjal të efikasitetit dhe mund ta krahasojmë atë me nivelin e imunitetit që po krijojmë, atëherë kjo gjë do t’u ofrojë zhvilluesve të vaksinave informacione vërtet të dobishme, duke i lejuar ata që të kuptojnë nëse vaksinat e tyre mund të funksionojnë, si dhe nëse do të nevojitet një apo dy doza, si te personat më të shtyrë në moshë, ashtu edhe tek ata më të rinj. Kështu që, sinjali i parë i efikasitetit do të jetë përnjëmend shumë i rëndësishëm, por deri më tani, nuk e dimë se cili vend do ta zhvillojë atë”, ka përfunduar ajo.