Të paktën tre persona janë vrarë dhe shtatë të tjerë janë plagosur në një valë shpërthimesh në Afganistan të martën. Shpërthimet ndodhën pas thirrjes së Perëndimit ndaj talibanëve që t’i japin fund dhunës, ndonëse grupi militant e ka mohuar përgjegjësinë.
Një shpërthim ndodhi në Kabul, ku mbetën të vrarë dy persona, njoftoi policia e kryeqytetit afgan. Dy shpërthime tjera ndodhën në këtë qytet, duke lënë persona të lënduar. Cak i sulmeve ishin një veturë e forcave anti-terroriste dhe një veturë civile.
Policia tha se të tria shpërthimet u shkaktuan nga pajisjet e vogla magnetike, të njohura si bomba ngjitëse, shkruan Reuters.
Zëdhënësi i talibanëve, Zabihullah Mujahid, refuzoi ta merrte përgjegjësinë dhe tha: “Këto shpërthime nuk kanë të bëjnë asgjë me ne.”
Në qytetin lindor të Jalalabadit, një ushtar u vra dhe dy të tjerë u lënduan nga një shpërthim që për cak e pati veturën me të cilën po udhëtonin. Një shpërthim tjetër në provincën Parwan pati cak një zyrtar të lartë të sigurisë.
Bashkimi Evropian, NATO-ja dhe disa ambasada të shteteve perëndimore thanë të dielën se talibanët e kanë përgjegjësinë për shumicën e kësaj dhune.
Bisedimet mes qeverisë afgane dhe talibanëve kanë ngecur, pavarësisht përpjekjeve të Shteteve të Bashkuara për arritjen e marrëveshje së paqes.