“Vallahi me shpi ka me u ditë”, PDK-ja e Skenderajt ankohet në PZAP dhe Polici për Bekim Haxhiun

Prishtinë | 09 Tet 2021 | 17:50 | Nga Ekonomia Online

Kandidati i PDK’së për kryetar të Skenderajt, Fadil Nura, e ka konfirmuar se kanë dërguar ankesë në Policinë e Kosovës dhe në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa rreth një deklarate të deputetit Bekim Haxhiu të bërë në një tubim zgjedhor në përkrahje të Bekim Jasharit.

“Po është e vërtetë, e kemi çu edhe në Polici edhe në PZAP. Më të thënë të drejtën shtabi e kanë trajtuar, por është shkelje direkte e Kodit Zgjedhor”, ka thënë Nura për Express.

Se ankesa ka shkuar në PZAP e ka konfirmuar edhe kreu i këtij institucione, Mulë Desku, i cili ka thënë se ankesa është duke u trajtuar.

Haxhiu i cili në këto zgjedhje lokale është rreshtuar krah Bekim Jasharit, në videon e publikuar nga KOHA, dëgjohet duke thënë se do të dihet saktë se kush për kënd ka votuar dhe kënd e ka përkrahur në këto zgjedhje lokale.

“Ju thashë në katund temin, e po ju them edhe juve këtu. Këto zgjedhje kanë me u mbajt mend edhe në histori. Kanë me u regjistru edhe në KQZ. Me katund, me bashkësi lokale, kush me kënd u kanë. Vallahi me shpi ka me u ditë. Kush u kanë me Jasharët, me Bekim Jasharin e kush kundër tyre u kanë”, dëgjohet teksa tha Haxhiu.

Ndërkohë vetë Bekim Haxhiu ka thënë se në fjalimin e tij s’ka pasur kurrfarë kërcënimi, derisa thotë se është normale që secili ta përkrahë atë që do.

“Prej jush po dëgjoj për këtë. Unë s’kam informacion. Është e drejtë e secilit ta përkrahë atë që do. Më duhet të them që dihet nga fillimi se kush e përkrah Bekim Jasharin. Aty s’ka pasur kurrfarë kërcënimi, janë manipulime të mediave. Kanë prerë fjali të caktuara për t’u dukur ashtu. Kjo është normale, secili e përkrah atë që do dhe nuk shoh diçka si problematike në këtë punë. KQZ-ja në fund i jep detajet se kush kë e ka votuar, kjo është normale. Unë jam duke bërë fushatë”, ka thënë Haxhiu

Të ngjashme