Një fshat serb, i frymëzuar prej Drakula-turizmit në Rumaninë fqinje, po shpreson të kapitalizojë nga legjenda me vampirin e saj.
Mirëpo deri më tani varri pa mbishkrim që mund të jetë i Petar Blagojeviqit, një fshatar që vdiq në vitin 1725, nuk përbën ndonjë spektakël të madh sikurse Kështjella Bran, e cila është bërë e famshme si Shtëpia e Drakulës dhe tanimë tërheq me miliona vizitorë nga bota mbarë, shkruan Reuters, transmeton “Koha Ditore”. Ama ky fakt nuk ua ndalon fshatarëve të Kisiljevos, rreth 100 kilometra në lindje të Beogradit, që të kenë ëndrra të mëdha.
“Ne kemi diçka që asnjë fshat tjetër në botë nuk e ka. E kemi vampirin e Kisiljevos”, thotë noteri dhe folkloristi Mirko Bogiçiq, duke e shpalosur shpresën që një ditë, më në fund, të ndërtohet një fshat me tipare identifikuese të vampirit – me kostumet dhe shtëpitë e kohës.
Bogiçiq thotë se Blagojeviqi është rikthyer nga të vdekurit për t’i përndjekur dhe terrorizuar familjen e fqinjët e tij, duke bredhur përreth shtëpive në kërkim të ushqimit dhe duke i sulmuar dhe mbytur viktimat e tij. Për këtë rrëfim të pazakontë kanë shkruar madje edhe e përditshmja e Vjenës “Wienner Diarium” dhe gjermania “Fosische Zeitung” .