Vashat e Kosovës shënojnë fitore bindëse ndaj Luksemburgut

Prishtinë | 05 Pri 2024 | 17:53 | Nga Ekonomia Online

Kombëtarja e Kosovës e grupmoshës U19 në konkurrencën e vajzave e ka mposhtur sot Kombëtaren e Luksemburgut, të të njëjtës grupmoshë, me rezultat bindës 4:0, në kuadër të Grupit B3 në Ligën B, në rrethin e dytë për kualifikimet e Evropianit 2024.

Dardanet e reja, me plotë përkushtim iu qasën lojës që nga fillimi i ndeshjes. Në pjesën e parë, Kosova zhbllokoi rezultatin duke shënuar golin e parë përmes Rreze Gashit në minutën e 40-të.

Me të filluar pjesa e dytë, gjegjësisht në minutën e 49-të, Sahare Berisha shënon për 2:0. Vetëm pesë minuta më pas, Alba Shabani thellon epërsinë me golin e saj duke çuar rezultatin e Kosovës në 3:0.

Ekipi kundërshtar i cili nuk arriti t’i rezistojë Kosovës, pak para fundit zyrtar të ndeshjes, përkatësisht në minutën 82 shkaktoi autogol, çfarë bëri që Kosova ta përmbyllë takimin me Luksemburgun me shifrat 4:0.

Në ndeshjen e parë Kosova fitoi kundër Gjibraltarit, me rezultat 5:0, ndërsa më 8 prill do të luajë ndeshjen vendimtare për vendin e parë në grup, ndaj Izraelit.

Nëse e fiton grupin, Kosova U19 do të promovohet në Ligën A për ciklin e ardhshëm kualifikues.

Të ngjashme