Mungesa e marrëdhënieve diplomatike me shtetet që e kanë njohur ka vënë në pikëpyetje edhe njohjet që deri më tani i kanë ardhur Kosovës. Ministria e Punëve të Jashtme nuk i ka sqaruar kundërthëniet brenda këtij dikasteri, sa i përket numrit të saktë të njohjeve.
Derisa Pacolli ka thënë se janë 114 shtete që e kanë njohur Kosovën, në faqen zyrtare të MPJ-së figurojnë 115 shtete, përfshirë edhe njohjen e Surinames. Për këtë të fundit, Pacolli ka thënë se nuk e di çfarë ka ndodhur. Vetëm e kishte pranuar disfatën diplomatike përballë Ivica Daçiqit, shkruan Koha Ditore.
Guineja Bisao është në regjistrin e vendeve që e ka njohur Kosovën që nga viti 2011. Por së fundi, edhe kjo njohje është vënë në pikëpyetje. Derisa ministri Pacolli tregoi se Guineja – Bisao e ka rikthyer njohjen e Pavarësisë së Kosovës, mediat në Serbi e kanë kontestuar vlefshmërinë e dokumentit duke thënë se i njëjti nuk ka nënshkrim të ministrit.
Gazeta ka kërkuar të vihet në dispozicion nota verbale me të cilën konfirmohet rikthimi i njohjes, por kjo nuk është mundësuar nga Ministria e Jashtme. Ka qenë gazeta “Veçernje novosti” që të enjten ka “përgënjeshtruar” ministrin Pacolli lidhur me këtë notë.
Sipas këtij portali, dokumenti nuk ka nënshkrim të ministrit, “derisa nota që ka arritur në Prishtinë mban datën 24 janar, ndërsa kryeministri i këtij vendi, Umaro Sisoko Embalo, në përpjekje për t’i dhënë fund krizës politike ka dhënë dorëheqje një javë para kësaj date”.
Janë së paku edhe 10 vende të tjera për të cilat nuk dihet nëse janë dorëzuar notat verbale në Qeverinë e Kosovës.