Vazhdojnë protestat e jelekverdhëve në Francë, policia arreston 32 persona

Prishtinë | 09 Shk 2020 | 10:19 | Nga Ekonomia Online

Policia franceze njoftoi se i ka arrestuar 32 persona gjatë protestave kundër qeverisë, të njohura edhe si protestat e jelekverdhëve. E shtuna e shënoi javën e 65-të të tubimeve të vazhdueshme të qytetarëve të pakënaqur me masat e qeverisë.

Protestuesit u mblodhën të shtunën në Sheshin e Pallatit Mbretëror, pavarësisht se një gjë të tillë e kishte ndaluar paraprakisht policia.

E mbajtur nën masa të rrepta të sigurisë, protesta përfundoi pa ndonjë përleshje apo tension të madh, shkruan “Anadolu”, transmeton Gazeta Express.

Përpos arrestimeve, policia e kryeqytetit francez tha se 140 persona janë ndëshkuar për pjesëmarrje në protestën që nuk kishte leje nga autoritetet.

Sidoqoftë, protestuesit u përleshën me policinë në qytetin Bordeaux. Forcat e sigurisë përdorën gaz lotsjellës dhe bomba të plastikës për t’i shpërndarë protestuesit. Disa protestues i thyen xhamat e disa restoranteve dhe bankave.

Protestat e jelekverdhëve filluan në fundin e vitit 2018 si reagim ndaj rritjes së çmimit të karburanteve, ndërsa më vonë u shndërruan në kryengritje të dhunshme kundër qeverisë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme