Vazhdon gjykimi i ish-inspektorit të akuzuar për marrje ryshfeti

Prishtinë | 05 Qer 2017 | 09:39 | Nga

Avni Bajrami akuzohet se ka marrë para nga dy të pandehur për t’ua mundësuar që në një pronë private të hedhin disa kamionë dhe.

Ndërsa ndaj ish të akuzuarve të tjerë, Mexhid Krasniqi dhe Salih Dakaj, është parashkruar lënda. Ata akuzoheshin se i dhanë të holla Bajramit për t’ua mundësuar hedhjen e dheut në atë lokacion.

Fatmir Bajrami i ftuar që të dëshmojë para trupit gjykues për ato që i dinte në lidhje me rastin, pasi që u njoftua nga ana e trupit rreth të drejtave të tij rreth çështjes së dëshmisë, tha se nuk dëshiron të deklarohet lidhur me çështjen pasi që të akuzuarin e ka vëlla.

Me këtë rast, trupi gjykues mori aktvendim me të cilin dëshmitarin e liroi nga obligimi për të dëshmuar.

Kryetarja e trupit gjykues, Nora Bllaca, deklaroi se për këtë rast të akuzuar kanë qenë edhe dy persona të tjerë, Mexhid Krasniqi e Sali Dakaj, për të cilët tha se është parashkruar aktakuza, prandaj është veçuar lënda.

Andaj mbrojtësi i të akuzuarit Avni Bajrami, avokati Ekrem Avdushi, i propozoi trupit gjykues se si dëshmitar të ftohen Mexhid Krasniqi e Sali Dakaj pasi që për ta është parashkruar lënda.

“Me qenë se Gjykata ka marrë vendim me të cilin pjesërisht e ka hedhur aktakuzën ndaj Mexhid Krasniqit dhe Sali Dakajt më 7.4.2017 për shkak të parashkrimit absolut të ndjekjes penale e me siguri tanimë aktvendimi ka marrë formën e prerë, atëherë propozoj që në cilësinë e dëshmitarëve të merren Mexhid Krasniqi dhe Sali Dakaj”, propozoi avokati.

Propozim i cili u aprovua nga trupi gjykues.

“Trupi gjykues pas këshillimit merr këtë aktvendim me të cilin aprovon propozimin e mbrojtësit dhe në cilësinë e dëshmitarëve do të ftohen Mexhid Krasniqi dhe Sali Dakaj për shqyrtimin e radhës por vetëm pasi që Gjykata të vërtetojë se aktvendimi mbi hedhjen e aktakuzës kundër këtyre dy personave ka marrë formën e prerë”, tha kryetarja e trupit gjykues Nora Bllaca.

I akuzuari Avni Bajrami ngarkohet nga ish-Prokuroria Komunale në Prishtinë se në cilësinë e personit zyrtar- inspektor komunal në Lipjan, më 15 mars 2011 me dashje ka kërkuar dhe ka marrë përfitime për vete – para në shumën prej 350 eurove nga Mexhid Krasniqi.

Këto para, sipas aktakuzës, ish-inspektori Bajrami i kishte marrë për të mos ndërmarrë veprime që i takonin sipas postit që mbante për t’i ndaluar kamionët e ndërmarrjes N.P.N “Çlirimi” për ta hedhur dheun në lokacionin – pronë private në afërsi të kompanisë “Kosova Asfalt” në Lipjan.

Te akuzuar për këtë rast kanë qenë edhe Mexhid Krasniqi dhe Salih Dakaj por ndaj tyre u tha se është parashkruar lënda.

Ata po ashtu akuzoheshin se me 15 mars 2011 me dashje dhe në bashkëveprim me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm për ndërmarrjen N.P.N “Çlirimi” i kanë dhënë 350 euro ish-inspektorit që ky të mos i pengojë që ta hedhin dheun në pronën private në afërsi të “Kosova Asfaltit”.

Seanca e radhës u caktua të mbahet në fund të muajit qershor.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme