Vazhdon rritja e çmimeve në Shqipëri, inflacioni arrin në 7.5% në korrik

Prishtinë | 09 Gus 2022 | 08:58 | Nga Ekonomia Online

Rritja e çmimeve nuk ka ndalur dhe në korrik, ndonëse ritmet janë ngadalësuar në krahasim me muajt e mëparshëm.

Sipas zyrës kombëtare të statistikave në Shqipëri, INSTAT, inflacioni, që mat ndryshimin e çmimeve të konsumit në muajin Korrik 2022 është 7.5 për qind, nga 7.4 për qind që ishte muajin e mëparshëm.

Edhe në korrik rritja e çmimeve u ndikua më së shumti nga ushqimet dhe pijet alkoolike si dhe nga karburantet.

Një vit më parë ky ndryshim ishte 2.2 për qind. Ndryshimi mujor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin Korrik 2022, krahasuar me Qershor 2022 është 0.2 për qind.

Në korrik, inflacioni ishte në nivelin më të lartë që nga shkurti i vitit 2002, kur treguesi ishte 7.6 për qind.

Inflacioni është më se dy herë më i lartë se objektivi i shënjestruar i bankës së Shqipërisë prej 3 për qind.

Banka e Shqipërisë, e cila ka si objektiv kryesor ruajtjen e stabilitetit të çmimeve, që nga muaji mars i këtij viti ka rritur tre herë normën bazë në ekonomi, duke e çuar nga minimum historik prej 0.5 për qind në 1.75 për qind në fillim të gushtit, në përpjekje për të frenuar rritjen e inflacionit.

Guvernatori Gent Sejko deklaroi gjatë vendimit të fundit se informacioni i ri i marrë në analizë sugjeron se presionet inflacioniste janë më të gjera dhe më të forta se vlerësimet e mëparshme. Ky gjykim pasqyron rritjen e shpejtë të çmimeve në tregjet botërore, si dhe kërkesën e lartë e të qëndrueshme për mallra e shërbime në vend.

Në eurozonë, në korrik inflacioni arriti në nivel rekord prej 8.9 për qind. Më shumë se gjysma e rritjes së çmimeve në vend vjen për shkak të shtrenjtimit të produkteve që Shqipëria merr nga importi, duke sinjalizuar se rritja e çmimeve të konsumit do të vazhdojë më tej, pasi inflacioni në Eurozonë vetëm po rritet. 

Të ngjashme